Skema e furnizimit të Ujësjellësit të Tiranës është klasike, nga burimi me anën e linjave të transmetimit. Uji akumulohet në Depo dhe më pas kalon në rrjetin shpërndarës të furnizmit me ujë të kryeqytetit. Rrjeti Shpërndarës i Ujësjellësit të Tiranës përbëhet nga 1.8 milionë metër linear, ndërsa linjat e transmetimit arrijnë një gjatësi prej 160.000 metra linear. Ky rrjet është i ndërtuar nga vitet 1940 deri në ditët e sotme.

Burimet e ujit në bazë të natyrës së tyre, klasifikohen me vetërrjedhje, me ngritje mekanike dhe trajtim të ujërave sipërfaqësore të liqenit Bovillë nga Impianti i Trajtimit të Ujërave në Bovillë.

Prodhimi mesatar vjetor në total në UKT arrin rreth 100 milionë metër kub ujë.
Uji i prodhuar transmetohet në Depo nëpërmjet linjave të transmetimit. Kapaciteti akumulues i depove është rreth 100 milionë metër kub ujë.

Në Ujësjellësin e Tiranës pothuajse mungon sistemi i matjes së parametrave kryesorë të transmetimit, akumulimit dhe shpërndarjes së ujit, siç janë matjet e presioneve, matjet e prurjeve dhe nivelet e depove.
Për modernizimin e Ujësjellësit të Tiranës, për përballimin e sfidave që kanë lindur nga zbatimi i Reformës Territoriale, ku Ujësjellësi do të furnizojë me ujë jo më 760 mijë banorë, por rreth 1 milionë banorë, për realizmin hap pas hapi të objektivit madhor për furnizmin me ujë për 24 orë në 24, me ujë me cilësi etj, kërkohet realizimi i një sërë investimesh të cilat për fat të mirë kanë filluar, siç janë:

1. Zgjidhja përfundimtare e zonës së pallateve të Yzberishtit, duke përmbyllur deri para sezonit veror 2016 vendosjen në punë të Depos 4000 m2 të Yzberishtit, të linjës 1.8 km që do të furnizojë pallatet e Rrugës “3 Dëshmorët” nga kjo Depo, duke vendosur në punë stacionin e ri të Pompimit, nga stacioni Bërxullë.

2. Punimet që po vazhdojnë për rikonceptimin e burimeve të Shën Mërisë, vendosja në shfrytëzim hap pas hapi të 20 zonave ku është investuar nga Bashkia Tiranë, të cilat nuk janë vendosur në punë akoma dhe ndërhyrja në disa linja kryesore shpërndarjeje siç janë ato të Tiranës së re, Kombinatit, Durrësit etj..

3.Modernizimi i matjes, transmetimi i të dhënave dhe një qendër dispaceri moderne duke implementuar Scad, si për burimet e prodhimit, linjat e transmetimit, depot dhe rrjetin shpërndarës. Në përfundim, krijimi i një sistemi të integruar të marrjes, përpunimit, transmetimit dhe ruajtjes së të dhënave.

Për përmirësimin e bilancit të ujit në horizontin aftashkurtër parashikohet shtimi i kapacitevete të impiantit Bovillë me 600 litra në sekondë dhe garantimi i cilësisë së ujit për gjithë sezonin vjetor të burimeve të Bovillës së vjetër nëpërmjet investimit në procesin e trajtimit të këtyre ujërave.