Liqeni i Tiranes

Diga e Liqenit Artificial të Tiranës është pjesë e Parkut të Tiranës, i cili është shpallur Park Kombëtar. Ndërtimi i kësaj dige është bërë për të krijuar një kompleks tërheqës për banorët e Tiranës. Ajo përbëhet nga këto vepra kryesore:

-Diga .
-Vepra e shkarkimit.
-Ujëlëshuesi
-Porta dhe mekanizmat.
-Sifoni i shkarkimit.

Diga e Liqenit Artificial të Tiranës është ndërtuar në vitet 1957-1958. Eshtë digë homogjene (dheu), me vëllim të trupit të digës 110 000 m³.
Bazamenti i saj është gjysmë shkëmbor (tokë). Lartësia e digës nga kurora deri në pikën më të ulët të gërmimit është 17m. Ndërsa gjatësia e kurorës së digës është 600m.
Diga ka krijuar një rezervuar në nivelin normal 117.25 m të barabartë me 2 560 000 m³ ujë. Sipërfaqja e pasqyrës së ujit është 356 000 m².

Pellgu Ujëmbledhës i Liqenit Artificial të Tiranës -ka një sipërfaqe rreth 5 km² dhe shtrihet në pjesën jugore të qytetit të Tiranës, rreth 2 km larg qendrës së tij. Ai konturohet nga vargu i kodrave të Saukut. Pjerrësia e shpateve varion minimumi rreth 5% deri maksimumi rreth 40% me pjerrësi mesatare rreth 20%.Pellgu Ujëmbledhes i Liqenit pjesërisht është i pyllëzuar dhe pjesërisht me toka të punueshme.Lartësitë minimale dhe maksimale të Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit variojnë nga kuota 120 m deri në kuotën 330 m, me kuotë mesatare rreth 170 m.

Zona e ujëmbledhësit të Liqenit Artificial të Tiranës bën pjesë në zonën mesdhetare fushore qëndrore. Temperaturat mesatare mujore lëkunden nga 3º C deri në rreth30º C në muajt e verës.

Në këtë pellg bien rreth 1250 mm reshje në vit. Regjimi i reshjeve është mesdhetar me sasinë më të madhe të reshjeve gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Rrjedhja në pellgun e Liqenit Artificial të Tiranës krijohet nga reshjet e shiut.
Prurja mesatare shumëvjecare në aksin e digës është rreth 80 litra /sek. Plota formohet për 30 minuta.

Raporti i monitorimit teknik të Digës së Liqenit Artificial të Tiranës, është bërë në bazë të kërkesave të “Rregullores së shfrytëzimit të Digës” dhe Ligji nr. 8681 dt.02.11.2000 dhe V.K.M Nr.147 dt. 18. 3. 2004 neni 32.

Objekt i matjeve, vrojtimeve dhe monitorimeve janë:

-Diga e ndërtuar me dhe
-Pllakat e biefit te sipërm
-Brigjet e kupës së rezervuarit
-Filtrimet në biefin e poshtëm
-Matjet dhe monitorimi i nivelit të ujit nëntokësor në anën e poshtme të Digës, me anë të puseve piezometrike të ndërtuar për këtë qëllim

Liqeni i Tiranës ka vetëm funksion ekologjik, duke ruajtur nivel konstant gjatë gjithë vitit të pasqyrës së ujit. Në digën e e Liqenit Artificial të Tiranës nuk ka instrument për matjen automatike të nivelit të ujit në liqen. Matjet janë bërë cdo ditë me metër (latë të vendosur në faqen e Veprës së shkarkimit. Në ditët me prurje të mëdha niveli është matur disa herë në ditë.
Sh.a. Ujësjellës Kanalizime Tiranë, e ka marre Digën e Liqenit Artificial të Tiranës, me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës me datë 03.08.2015.