DCIM100GOPROGOPR2181.

Ndërtimi i Ujësjellësit të Bovillës ështe vepër e rëndësishme sociale dhe ekonomike. Impianti siguron deri në 1800 Litër/sek ujë të pijshëm për qytetin e Tiranës. Uji merret nga Ujëmbledhësi i Bovillës, i cili gjendet në pjesën verilindore të kryeqytetit. Ujëmbledhësi është formuar nga prerja e lumit Tërkuza me një digë 81 m të lartë, në grykën e Zall Herrit. Ai është mbushur përfundimisht me ujë në gusht të vitit 1998. Një tubacion çeliku me diametër 90 cm dhe gjatësi 10 km sjell ujin me vetërrjedhje nga kulla e Ujëmbledhësit (kuota 275 m mbi nivelin e detit deri tek Impianti i Përpunimit në Kodrën e Kuqe, Babrru (rreth 217 m).

Impianti i Përpunimit është vepra më e rëndësishme e Ujësjellësit të Tiranës, në të cilin kryhen proceset e kthjellimit, filtrimit dhe dezinfektimit, duke e kthyer ujin e liqenit të Bovillës tërësisht për pirje. Impianti është vënë në punë në vitin 1998 dhe qysh në fillim është drejtuar nga personel shqiptar. Impianti ka një depozitë të ujit të pijshëm me vëllim prej 30’000 m3. Prej këtej uji shpërndahet në Tiranë me anë të dy tubacioneve prej çeliku, njëri me diametër 120 cm dhe gjatësi 2.5 km që përcjell ujin në Tiranë, kurse një tjetër me diametër 100 cm përcjell ujin tek depozita e Kinostudios (Tiranë).

Sistemi i ujit të pijshëm në Tiranë monitorohet rregullisht nga Drejtoria e Shëndetit Publik (Inspektoriati Sanitar i Shëndetësisë), i cili është organi më i lartë shtetëror që kontrollon dhe monitoron cilësinë e ujit të pijshëm, si dhe nga vetë Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Qytetit. Nga laboratori mikrobiologjik monitorohen treguesit e koliformëve dhe streptokokëve fekale, koliformet totale, mikroflora e përgjithshme. Nga ana e laboratorit fiziko – kimik kryen analizat per treguesit: amonjak, nitrite, nitrate, alumini, hekuri total, alkaliniteti, substanca organike ( metoda Kubel), kloruret, hidrogjensulfuret, fosfatet, sulfatet etj.

Mbështetur në të dhënat laboratorike shumëvjeçare të Impiantit të Bovillës si dhe në të dhënat e mbledhura gjatë projektit SCOPES ( 2006- 2008), duket se për shumë parametra fiziko-kimikë, uji që vjen nga liqeni i Bovillës i përket ketogorisë A1 të Standardit të Bashkimit Evropian 75/440 për ujërat sipërfaqësore që shfrytëzohen për ujë të pijshëm, sidomos për pH-in, BOD5, përcjellshmërinë, ushqyesit (nitratet, fosfatet) etj. Ujërat që vijnë në Impiant janë të oksigjenuara mirë . Fortësia e përgjithshme e ujit 7.5 deri 8.2 ˚. Kjo  e klasifikon atë si ujë të butë me sasi jo shumë të madhe të kripërave minerale, kryesisht karbonateve ose sulfateve të kalciumit ose magnezit.

Sipas standardit 75/440, ujërat që i përkasin kategorisë A1 kërkojnë vetëm përpunim të thjeshtë – filtrim të shpejtë dhe dezinfektim; ujërat e kategorisë A2, kërkojnë përpunim të zakonshëm – paraklorim, koagulim, flokulim, dekantim, filtrim, dezinfektim përfundimtar me klorim; kjo ndiqet rregullisht nga Impianti i Përpunimit për ujërat e Bovillës. Për ujërat e kategorisë A3, kërkohet përpunim i thellë – klorim deri në pikën kritike, koagulim, flokulim, dekantim, filtrim, përpunim me karbon aktiv, ozonim dhe klorim përfundimtar. Ky rast, për Impiantin e Përpunimit nënkupton futjen në shfrytëzim të përdorimit të Filierës së Karbonit Aktiv, e cila bëhet vetëm gjatë periudhës kur ndjehet shija dhe era e papëlqyeshme në ujë.

Fillimisht uji që vjen nga Bovilla hyn në Partitor (Fig. 10-6/2 dhe 10- 7/b); këtu dozohen Polikloruri i Aluminit 10% (si koagulues – flokulues), Hipokloriti i Natriumit 13- 15% (si oksidues – dezinfektues), Acidi Klorhidrik, 30–33% (si korrektues pH-i). Në periudhën e shfaqjes së shijes së papëlqyshme në ujë në këtë hap shtohet edhe trajtimi me Karbon Aktiv Pluhur (CAP), i cili largohet më pas nëpermjet stadeve të koagulim- flokulimit dhe filtrimit.

Nga kryerja me korrektësi e procesit teknologjik të trajtimit të ujit përftohet ujë i pijshëm sipas të gjitha normave të përcaktuara në standardin shqiptar STASH 3904:1997 (VKM 145, dt. 26/02/1998), si dhe në standardin e BE-së 80/778.