Rreth neshTirana, kryeqyteti i Shqipërisë deri në vitin 1939 është furnizuar me ujë nga puset vetjake. Në vitin 1939, me përfundimin e qendrës së Tiranës (ndërtimin e ministrive dhe shëtitores “Dëshmorët e Kombit”), u vu në punë Impianti i Pastrimit të Ujit në Brar, i cili merrte ujë në lumin e Tiranës pranë kataraktit me prurje Q=40 l/sek së bashku me rrjetin që furnizon objektet e ndërtuara.

Për administrimin e Impiantit dhe rrjetit shpërndarës, u krijua Shoqëria e Ujësjellësit Tiranë me vartësi nga Ministria e Punëve Botore. Ky administrim ka vazhduar edhe pas çlirimit të vendit, të cilën e vërtetojnë lejet nga Shoqëria për ndërtimin e çezmave publike në qytetin e Tiranës.

Në vitin 1951 qytetit të Tiranës, përveç Impiantit Brar iu shtuan edhe Burimet e Selitës, të cilat pasi përpunohen në Hidrocentralin Lana-Bregas, shpërndahen në depot e Tiranës.

Me rritjen e numrit të konsumatorëve shtohen kërkesat për ujë. Në vitin 1964, Tiranës i janë shtuar burime të tjera: Burimi i Bovillës me prurje Q=140-420 l/sek dhe Burimet e Shën Mërisë me prurje Q=600 l/sek.

Në vitin 1988 Tiranës i shtohen burime të reja me ngritje mekanike Bërxull dhe Pishinat. Me rritjen e kërkesave, po në vitin 1988, me fonde të përbashkëta nga Ministria e Bujqësisë dhe Komunale, u krye studimi për ndërtimin e Digës së Bovillës me kapacitet 80 milion m3/ujë dhe aftësi përpunuese 40 milionë m3/ujë.

Diga e Bovillës përfundoi në vitin 1999, e në funksion të saj u ndërtua Impianti i Pastrimit të Ujit, me kapacitet përpunues prej 1800 l/sek. Impianti i Pastrimit të Ujit është vënë në punë në vitin 2000. Në vitin 2003 u bë bashkimi i Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Qytet, e cila në atë kohë varej nga Ministria e Ekonomisë me Ndërmarrjen e Ujësjellësit Fshat, e cila varej nga Qarku i Tiranës si dhe u shkri ish-Ndërmarrja 4 që i shërbente me kanalizime vetëm 40 për qind të komunave të Tiranës.

Në janar të 2007 Shoqëria Strategjike Ujësjellës Kanalizime Tiranë, u transferua në pronësi të njësive vendore të zonës së shërbimit që përbëhet nga 3 bashki dhe 16 komuna. Licensa e fundit e shoqërisë është rinovuar nga Komisioni Kombëtar Rregullator i Ujit në Mars të 2010, pas një proçesi monitorimi dhe vlerësimi të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë licencë nga Enti Rregullator i Ujit.