Tuneli në Dajt, një vepër e madhe hidro-energjitike, që garanton të ardhmen e Tiranës dhe aset për banorët e zonës!

Një nga projektet e mëdha të ndërmarra nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë është ai i shfrytëzimit më të mirë të burimeve të Shën Mërisë, duke rritur kapacitetin e vetërrjedhjes, gjë që shton në sasi të konsiderueshme ujin për qytetarët, por edhe ujin që ushqen hidrocentralin e Lana Bregasit për të rritur sasinë e energjisë së prodhuar.

Ky investim hyn tek projektet strategjike që i shërbejnë së ardhmes, në mënyrë që t’i paraprihet rritjes së popullatës dhe shtimit të cilësisë së shërbimit.

”Projekti i ri i rikonceptimit të burimeve të Shën Mërisë është një ndërmarrje e madhe dhe ambicioze por dhe tepër e nevojshme duke parë situatën ekzistuese të kësaj linje, e cila është e amortizuar në disa pjesë dhe jo rentabël nga pikëpamja ekonomike.

Qëllimi i ndërtimit të këtij projekti është shfrytëzimi në kapacitet të plotë të burimeve të Shënmërisë dhe të mos përdoren vetëm prurjet e burimit të Selitës.

Ai synon që të shfrytëzojë burimet me anë të rrjedhjes së lirë dhe jo me anë të stacionit të pompimit të Qafë Mollës i cili kërkon shumë kosto në mirëmbajtje dhe në energji për pompat që kryejnë ngritjen mekanike të ujit deri në hyrje të tunelit ekzistues të Dajtit.

Është një projekt kompleks pasi përveç linjës së re të transmetimit po ndërtohet edhe një tunel për të kaluar Malin e Dajtit, gjithashtu do të ndërtohet një basen të ri presioni për rënien e ujit në HEC Lana Bregas.

Zona ku ndodhen 5 burimet e këtij ujësjellësi ndodhet në rrëze të Malit me Gropa në fshatin Shënmëri, këto burime janë karstike. Ato  merren nëpërmjet kaptazheve tipe galeri dhe në linja të veçanta futen në Depon grumbulluese, katër prej këtyre burimeve mblidhen në depo në kuotë 809.00 m ndërsa burimi i pestë futet direkt në tubin e trasmetimit për në Qafë Mollë.

Zona që duhet të përshkojë linja e transmetimit të ujësjellësit fillon nga kuota +809 m më pas zbret në kuotën e +420 m pranë luginës në afërsi të Domjes dhe më tej në ngjitje do të duhet të kapërcejë masivin e malit të Dajtit për të zbritur sërish në kuotën e +320 m që është edhe kuota e H/C të Lanabregasit

Përdorimi i ujërave nëntokësore të malit të Dajtit nuk është intensiv, vetëm burimet e mëdha dhe të vogla të Bovillës janë përfshirë, me rrjedhje të lire, në furnizimin me ujë të Tiranës që nga viti 1974.

Ujësjellësi i Tiranës nga burimet e Shën-Merise përfiton vetëm sasinë e ujit pa të ardhura ekstra. Që janë të ardhura nga prodhimi i shtuar i energjisë në HEC Lana Bregas por edhe ulja e kostove nëpërmjet mirëmbajtjes së stacioneve të pompimit.

Gjithashtu linja ekzistuese nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të transmetuar të gjithë sasinë e ujit që prodhohet nga burimet e Shën Mërisë. Aktualisht kapaciteti makimal i linjës ekzistuese është rreth 650 litra për sekondë. Në situatën e sotme uji i Shënmërisë përdoret në varësi të prurjeve që ka Selita, duke qenë se prurjet e burimeve janë variabël gjatë vitit.

Në rastet kur ulen prurjet nga Burimet e Selitës rritet sasia e pompuar e ujit që vjen nga Shënmëria në mënyrë që të balancohet kërkesa për ujë, por duke rritur në mënyrë të drejtpërdrejtë kostot e operimit. Kurse projekti i ri rrit në mënyrë të ndjeshme të gjitha parametrat dhe ul kostot.