Rreth 12 mijë banorë në periferi të Tiranës nuk do të kenë më probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Bashkia e Tiranës dhe UKT nisën investimin për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit në zonën që kufizohet nga rrugët “Myslym Keta”, “Shefqet Kuka” dhe “Thoma Filipeu” në Njësinë Administrative nr. 4, e cila i jep zgjidhje problemit të ujit të pijshëm i mbartur prej vitesh. Punimet u ndoqën nga afër sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS, Xhemal Qefaliaj, si dhe drejtori i UKT-së, Redi Molla.

Pasi u njoh me projektin dhe volumin e punës, kryebashkiaku Veliaj tha se ky investim i jep zgjidhje një kërkese të vazhdueshme të banorëve të kësaj zone, të cilët prej vitesh vuanin nga mungesa e ujit.

“Një nga kërkesat kryesore të banorëve të zonës ka qenë nevoja për furnizim me ujë të pijshëm dhe më cilësor. Besoj se ky investim i plotëson të gjitha këto nevoja. Koha kur Tirana ndahej në qendër dhe në periferi, në autoktone dhe në të ardhur, në zona të urbanizuara dhe zona informale, duhet të marrë fund. E vetmja mënyrë se si merr fund nuk është me fjalime, por duke bërë investime të tilla, që sjellin urbanizim. Nuk besoj se ka investim që sjell më shumë qytetërim se sa të pasurit ujë të pijshëm”, tha Veliaj.

Ai shfrytëzoi rastin që, në këto ditë të nxehta të verës, kur edhe burimet pakësojnë prurjet, t’u bëjë thirrje qytetarëve të bëjnë më shumë kujdes në përdorimin e ujit dhe të mos abuzojnë me të.

“I ftoj qytetarët që ta kursejmë ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është e papranueshme që në pikun e verës, vazhdojmë të përdorim ujë të pijshëm në lavazhe për të larë makina, për të ujitur e vaditur. Ndaj jemi treguar jashtëzakonisht të rreptë dhe do të vazhdojmë të jemi të rreptë më këdo që shpërdoron ujin. Nuk e bëjmë këtë sepse u kemi shpallur luftë lavazheve, por sepse na dhimbsen qytetarët që duan ujë”, deklaroi Veliaj, ndërsa kërkoi nga qytetarët që të denoncojnë çdo ndërhyrje të paligjshme dhe keqpërdorim të ujit të pijshëm.

Punimet për linjën e re të ujësjellësit në këtë zonë do të kryhen në dy lote, ku loti i parë përfshin zonën midis rrugëve “Gaqo Vakeli”, “Abaz Dojaka”, “Shefqet Kuka” dhe “Andon Kuqali”. Me anë të këtij investimi UKT synon t’i japë fund problemeve të furnizimit me ujë, si dhe ndërtimit të një rrjeti komplet i ri sipas të gjitha standardeve duke eliminuar në këtë mënyrë edhe shtrimet e paligjshme që janë gjetur si zgjidhje e përkohshme nga banorët.

shefqet kuka