Ujësjellësi i ri në Shkozë, përfitojnë 1500 banorë

Bashkia e Tiranës i jep zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Shkozës, të cilët prej më shumë se 20 vitesh vuanin nga mungesa e ujit dhe detyroheshin të furnizoheshin me bote. Me investimin e ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime Tiranë në këtë zonë bëhet e mundur që 1500 banorë të Njësisë Administrative nr. 1 të furnizohen me ujë nëpërmjet rrjetit të ri. Gjatë inspektimit të punimeve për zgjidhjen e problematikës së krijuar prej vitesh në këtë zonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se po investohet në çdo cep të qytetit.

“Kemi vendosur që në këtë zonë, të cilën e përfshin njësia 1 dhe është zhvilluar kryesisht pas viteve ’90, të investojmë në rrjetin kryesor të ujësjellësit që lidhet direkt me depon e ujit, për t’u siguruar që shtojmë ujin e pijshëm, në mënyrë që banorët të mos e blejnë me bot, por edhe të ndalim ndërhyrjet në rrjet”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se fillimisht UKT-ja po shtron rrjetin e ujit, mandej rruga do të shtrohet me asfalt dhe do të bëhet rehabilitimi urban i zonës. Sipas tij, ky koordinim midis kompanive publike bëhet për të shmangur çdo humbje në investimet e bashkisë, ndryshe nga sa veprohej më parë kur rrugët pasi asfaltoheshin çaheshin edhe njëherë nga ujësjellësi.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se krahas ndërtimit të infrastrukturës, po investohet edhe në kulturë. “Me infrastrukturë krijojmë kushtet që të ketë ujë të bollshëm në lagje dhe me kulturë sigurohemi që njerëzit ta paguajnë atë. Sigurohemi që qytetarët të marrin cilësi në shërbim, por edhe pa u prishur punë qytetarëve të tjerë duke ua vjedhur ujin me lavazhe apo me vaditjen e arave, e rrjedhimisht lënë pa ujë gjysmën e Tiranës”, theksoi Veliaj. Ai shtoi se nëse çmimin e ujit publik krahasohet me ujin që shitet me bote, qytetarëve u bie më lirë të jenë në rregull me shtetin se sa ta blejnë ujin me bote apo duke ndërhyrë në mënyra të paligjshme në rrjet, çka mund të të çojë edhe përpara drejtësisë. “Por, sigurisht që nuk ke të njëjtën cilësi nëse ujin e merr me bote, madje është edhe joetike, sepse duke vjedhur ujin nga rrjeti i bën dëm fqinjit tënd, kushëririt tënd, familjarit tënd disa metra më tutje”, tha Veliaj.

Nga investimet e fundit të UKT-së për shtrimin e linjave të reja dhe aksionet për eliminimin e humbjeve në rrjet, banorët e Tiranës kanë pasur më shumë furnizim me ujë krahasuar me të njëjtat periudha të viteve të kaluara. “Lajmi i mirë është që uji në Tiranë, edhe pse ky është një sezon i vështirë, me një thatësirë të jashtëzakonshme, është në dyfishin që ka qenë në një verë më përpara, por prapë nuk mjafton. Që t’ia arrijmë atij standardi dhe atij misioni që kemi vendosur për veten tonë, që të kemi ujë 24 orë, do të duhet që çdo zonë, atje ku ka një rrjet të mbyllur, të jetë korrekte dhe pastaj atë korrektesë të pagesës së faturës së ujit ne ta përkthejmë menjëherë në investime”, vijoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës paralajmëron nisjen e një sërë investimesh në ujësjellës-kanalizime që do të përmirësojnë furnizimin me ujë të qytetarëve. “Besoj se ky vit do të hyjë në histori si viti më radikal i ndërhyrjeve dhe i financimeve në ujësjellës dhe kjo në fakt u kushtohet jo punëtorëve të ujësjellësit, por qytetarëve të Tiranës. Korrektesa e tyre këtë vit në pagesën e ujit të pijshëm është përkthyer në një korrektesë dhe në një impenjim maksimal nga ujësjellës-kanalizimet e Tiranës për t’i çuar këto në investime”, theksoi Veliaj. Ai u ka kërkuar qytetarëve që të mos e shpërdorojnë ujin e pijshëm dhe ta trajtojnë atë si një mall të çmuar. “U bëj thirrje qytetarëve, vazhdoni të jeni korrektë me ujësjellësin, vazhdoni të kurseni ujë se është një mall dhe si çdo mall ka një fund dhe ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, me investime dhe me infrastrukturë të dobishme për këtë komunitet”, deklaroi Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, tha se më në fund i jepet zgjidhje problemeve të krijuara me furnizimin me ujë në rrugën ”Spahiu” në zonën e Shkozës, të cilët furnizoheshin deri tani me bote dhe puse. “Po shtrojmë linjë shpërndarje dhe furnizimi të ri të ujësjellësit. Përmes këtij investimi furnizohen mbi 1500 banorë, rreth 300 familje. Do të bëhet edhe azhornimi i zonës me kontrata të reja për furnizimin me ujë. Është rreth 2 mijë metra linear ujësjellës shpërndarje dhe rreth 1 mijë metra linear linjë transmetimi, totalisht e re dhe që zgjidh njëherë e përgjithmonë problemin e ujit”, deklaroi Redi Molla.

shkoze

Rrjet i ri ujësjellësit në zonën e Doganës/ Nga investimi përfitojnë 5 mijë banorë, dyfishohet koha e furnizimit me ujë të pijshëm

Zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për rreth 5 mijë banorë të zonës së Doganës, e cila kufizohet nga rrugët “29 Nëntori”, “Zografët” dhe “Teodor Keko”. Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë po përfundojnë investimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në këtë zonë, i cili po kryhet paralelisht me atë te Rruga e Elbasanit dhe Rr. Shefqet Kuka. Punimet e UKT-së u inspektuan dje në mbrëmje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nënvizoi se ky investim po kryhet paralelisht me procesin e urbanizimit të zonës.

“Mundohemi të shfrytëzojmë punën gjatë natës dhe në pushimet e verës, për të shmangur rëndimin e trafikut dhe telashet për qytetarët. Kjo është një zonë kryesisht informale, përgjatë Unazës së Re dhe mbikalimit të Kamzës, e cila është zhvilluar pas viteve ’90. Të gjithë e dimë se legalizimi nuk ka kuptim pa urbanizim. Por, që dikush të quhet se jeton në qytet duhet të ketë energji elektrike, ujë, rrugë e infrastrukturë. Kjo është arsyeja pse i kemi kombinuar të tre këto përpjekje, që rrjeti i energjetikës, rrjeti i ujësjellësit dhe ai i rrugëve e rrugicave që lidhin këtë lagje me 5 mijë banorë, të funksionojë në mënyrë paralele në investime”, tha kryebashkiaku Veliaj, i cili shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se falë këtij investimi synohet që, edhe në këtë zonë, të dyfishohet orari i furnizimit me ujë të pijshëm i familjeve dhe bizneseve. “Më vjen mirë që kjo verë, pavarësisht vapës së padurueshme, i gjen këto familje, të cilat sot kanë zero orë ujë, të paktën me 13 orë ujë në ditë. Ju kujtoj se një vit më parë, kur filluam misionin tonë në Bashkinë e Tiranës, Tirana kishte mesatarisht 7-8 orë ujë në ditë, kurse sot ka 12-13 orë. Do të thotë se, nga tani e tutje, qytetarët nuk presin autobotin për të mbushur ujë, por tani janë klientë të UKT-së që shërbehen me dinjitet, në varësi të faturës që paguajnë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se me punën dhe investimet që po realizohen, synimi është që pas 3 vitesh Tirana të shkojë drejt furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm. “Nuk është perfekte, por është thuajse 2 herë më mirë. Ndaj besoj se nëse do të vijojmë me këtë ritëm, do të shkojmë drejt fundit të mandatit me një Tiranë që do të ketë thuajse 24 orë ujë të pijshëm. Ky është një lajm i mirë për banorët, është mirë edhe për estetikën e qytetit, duke qenë se depozitat tashmë në disa zona kanë filluar të reduktohen. Kjo do të ndihet më shumë kur të jemi në fund të këtij mandate”, u shpreh kryebashkiaku.

Por, që puna e bashkisë të ketë efekt direkt te qytetarët dhe uji të shkojë te konsumatorët familjarë dhe bizneset, kryetari i bashkisë theksoi se është e nevojshme që të mos shpërdorohet. “Ne kemi sot çmimin më të ulët të ujit në rajon, kjo do të thotë që për aq pagesë modeste sa është fatura e ujit, është mëkat që njerëzit të vadisin tokat apo të lajnë makinat me ujë të pijshëm. Njerëzit janë më të rëndësishëm se makina, ndaj ju lutem, kursejeni ujin! Makinat nuk lahen me ujë të pijshëm! Kështu, sigurohemi që çfarë kursejmë nga abuzimet dhe vjedhjet në rrjet, apo nga uji i papaguar, t’u kthehet qytetarëve në më shumë orë ujë”, bëri thirrje Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët debitorë në pagesën e ujit të pijshëm që të përfitojnë nga lehtësirat që ka ofruar UKT-ja në këmbim të shuarjes së detyrimeve të mbartura prej vitesh. “U bëj thirrje qytetarëve të përfitojnë nga lehtësia që ka ofruar UKT-ja e Tiranës, e cila për të gjithë debitorët që kanë përdorur ujin e pijshëm ndër vite, disa herë duke e marrë në mënyrë të paligjshme, por gjithsesi e faturuar, duhet të fillojnë ta paguajnë dhe lehtësia që u ofron UKT është që ta bëjnë këtë me këste. Mjafton të paguajnë 2000 lekë plus faturën e muajit dhe ne nuk i quajmë më debitorë, nuk u faturojmë më kamatë, por i trajtojmë si qytetarë që po përfitojnë nga një ofertë ku borxhin e paguajnë pak e nga pak”, përfundoi Veliaj.

dogana

 

Përfundon rrjeti i ri i Ujësjellësit në Kodër-Sharrë, përfitojnë 150 familje

Merr fund problemi i furnizimit me ujë në një tjetër zonë të Tiranës. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka përfunduar shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit në Kodër-Sharrë, duke i dhënë fund problemit me ujin e pijshëm të mbartur prej vitesh. Në total, nga investimi i Bashkisë së Tiranës do të përfitojnë 150 familje që jetojnë në Kodër-Sharrë. Punimet u inspektuan edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla.

Pas inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Veliaj theksoi se edhe ky investim është një tjetër dëshmi e faktit se kur qytetarët janë të rregullt me pagesat e detyrimeve, ato u kthehen në investime. “Besoj se kjo është mënyra e drejtë për të ecur përpara, që qytetarët të jenë korrekt, dhe bashkia ua kthen në investime. Nuk presim të kalojnë 4 vjet, sa të vijë fushata e radhës që të bëjmë të njëjtat premtime, por ende pa u mbushur viti i parë, në të gjithë zonën e Kodër-Sharrës kemi sistemuar të dyja anët e kodrës. Uji i pijshëm ka qenë gjithmonë problem në këtë zonë, edhe pse ndodhen kaq afër depos së ujit. Është një nga ato çudirat shqiptare ku e ke burimin pranë, por nuk ke akses në të mirat materiale që sjell ai burim”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Nisur nga fakti se sapo kemi hyrë në stinën e verës, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin që përdorin, në mënyrë që UKT të ketë mundësi për një furnizim normal me ujë të të gjitha zonave të Tiranës. “U kërkoj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është një mall që ka fund. Do të thotë se nuk e kemi ujin pafund, sidomos me afrimin e stinës së ngrohtë. Kësisoj, kursejnë edhe pagesat që i japin ujësjellësit për ujin e pijshëm dhe mbi të gjitha, të raportojnë e denoncojnë të gjithë ata që përdorin ujin e pijshëm për aktivitet komerciale, siç mund të jenë lavazhe apo ujitje jashtë çdo kriteri me ujë të pijshëm të tokave bujqësore”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se Njësia 6, ku përfshihet Kombinati dhe zonat përreth tij, do të përfitojnë edhe nga një sërë projektesh të tjera të Bashkisë së Tiranës. “Ne do të bëjmë një rehabilitim total të gjithë pjesës së varrezave. Aty tregojmë se jemi një qytet me dinjitet, kur dhe të parët tanë i trajtojmë me respekt. Ashtu siç bëmë në Tufinë, varrezat e Sharrës do jenë projekti ynë i dytë për rehabilitimin. Ne do të bëjmë një rehabilitim të gjithë rrugës nga Kombinati ushqimor, ku po bëhet sot mbikalimi i Unazës së Madhe, deri në Sharrë. Më pas, qarkullimi në varreza do të bëhet me një kalim në formë unazore, për të shmangur bllokimin e rrugës”, tha Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i UKT-së, Redi Molla bëri një prezantim të projektit, ndërsa ka theksuar se banorët e kësaj zone kanë mundësi që të përfitojnë nga skema e aplikuar për shlyerjen e borxheve që kanë ndaj kësaj ndërmarrje për ujin e papaguar në vite. Në zbatim të projektit të ujësjellësit të Kodër-Sharrës janë shtrirë rreth 2 km tubacion, si dhe janë prerë të gjitha lidhjet e paligjshme që ekzistonin aty.

 

koder sharre

Zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për 30 mijë banorë të Unazës së Re dhe Yzberishtit

Rreth 30 mijë banorët që jetojnë në zonën e Yzberishtit, Unazës së Re dhe fushën “Misto Mame” do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm, falë investimit të ri të Bashkisë së Tiranës dhe UKT-së, të cilat në kohë rekord vunë në punë depon e re të ujit. Kjo depo, me kapacitet 4 mijë metra kub, si dhe rrjeti i ri i ujësjellësit, bëjnë të mundur furnizimin rregullisht me ujë të Yzberishtit, një nga zonat më problematike në Tiranë.

Punimet e realizuara nga UKT-ja u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se depoja e re e ujit në Yzberisht katërfishon prurjen e ujit në këtë zonë dhe i jep fund problemit të mbartur prej vitesh. “Falë këtij investimi zgjidhim çështjen e ujit të pijshëm për 30 mijë banorë. Do të thotë se në këtë zonë do ulet numri i boteve të ujit, por gjithashtu nga Yzberishti deri në “Misto Mame” do të kemi gjithmonë e më pak probleme për çështjen e ujit të pijshëm”, tha kryebashkiaku Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi qytetarët, të cilët kanë paguar rregullisht faturat e ujit, duke bërë të mundur një gjendje më të mirë financiare të UKT-së, çka sjell edhe më shumë investime në rrjetin e ujësjellësit.

“Ky ka qenë viti më i mbarë për UKT-në, ku pagesa e faturave ka shkuar në mbi 90%. Për herë të parë Tirana renditet mes qyteteve taksapaguese të mira siç janë Korça, Përmeti, të cilat e kanë traditë që qenit në rregull me pagesat. Tani që qytetarët janë treguar të rregullt me bashkinë, bashkia duhet të jetë po aq e rregullt me qytetarët. Më vjen mirë që ky investim zgjidh një ngërç që kishte zgjatur prej disa vitesh dhe e çon në drejtimin e duhur çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë zonën e Yzberishtit”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se në 11 muajt e fundit është bërë më shumë në ujësjellës se sa ishte bërë në 4 vite të marra bashkë.

Por, ky është vetëm një nga investimet që po bëhen në këtë zonë. Kryebashkiaku Veliaj tha se në këtë zonë janë duke u zhvilluar edhe një sërë investimesh të tjera, si në infrastrukturë rrugore, transport, etj. “Do të vijojmë me investime në këtë zonë dhe sipas planit të ri urbanistik do të shtojmë linjat e autobusëve, që komunikimi me Tiranën të jetë më i zhdërvjellët. Gjithashtu, do të vazhdojmë me projektin tonë të shkollave, kopshteve e çerdheve. Ato që banojnë këtu janë kryesisht familje të reja, e si të tilla kanë fëmijë të vegjël që kanë nevojë për çerdhe, kopshte e gjithë infrastrukturën sociale”, tha Veliaj.

Prej vitesh, familjet që jetojnë në këtë zonë kanë vuajtur mungesën e furnizimit me ujë, për shkak të rrjetit të munguar dhe një investimi serioz. Problematika e këtyre banorëve bëhej më e mprehtë sidomos në stinën e verës, gjatë së cilës mungesa e ujit kthehej në një pengesë për një jete normale. Tashmë, me investimin e kryer dhe ndërtimin e depos 4000 metra kub, katërfishohet volumi i ujit që shpërndahet në zonë. Kjo depo do të furnizojë me ujë zonën e Unazës së Re, si dhe zonën tek pallatet e KMY-së. UKT ka ndërtuar mbi 1.2 kilometër rrjet ujësjellësi, i cili tashmë shkon në çdo pallat, duke çuar ujë në familjen e çdo banori të zonës.

yzberisht

Ndërhyrje abuzive në tubat kryesorë të furnizimit me ujë, UKT asnjë tolerim

Ndërhyrje të rënda abuzive në tubat kryesorë dhe ata të shpërndarjes janë verifikuar në Linzë, tek ish-gurorja në Dajt nga Drejtoria Rajonale dhe grupet Task Forcë të UKT-së.  Pas punës në terren u konstatuan  ndërhyrje të paligjshme në linjat e shpërndarjes të furnizimit me ujë nga persona të paautorizuar.

Këto ndërhyrje me përmasa të konsiderueshme mendohet se janë bërë nga furnizuesit me ujë të boteve, të cilët vinin në këtë zonë. Grupet në terren të UKT-së kanë marrë masa të menjëhershme për të ndërprerë këto lidhje abuzive, të cilat shkaktonin  humbje të mëdha në rrjet.

Veç këtij aksioni, grupet në terren të UKT-së po vijojnë verifikime të tjera në zonë, ku shumë raste janë raportuar nga banorë të ndryshëm.

Në zonën e Dajtit, por edhe në ish-komunat e tjera po punohet intensivisht për të formalizuar shërbimin, për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e pagesës të ujit, por sidomos mbi sensibilizimin e banorëve për të raportuar dhe për të mos kryer lidhje të paligjshme në linjat e furnizimit me ujë të pijshëm.

UKT sh.a është e vendosur në luftën e saj kundër çdo lloj abuzimi që bëhet në rrjetin e shpërndarjes, duke krijuar për pasojë humbje si dhe pakësim të ujit në tubacionet e ujësjellësit.

dajt ukt

Borxhi për ujin e pijshëm, skemë e re shlyerjes së debisë për biznesin e vogël

Ujësjellës Kanalizime Tiranë me qëllim lehtësimin e pagesës për konsumatorin debitor, biznes i vogël/privat, lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Aktmarrëveshja e re për biznesin e vogël, vjen pas asaj për konsumatorin familjar dhe politikave të UKT-së për lehtësimin e skemës për shlyerjen e borxhit të akumuluar ndër vite dhe nxitjen e konsumatorit debitor për të shlyer çdo detyrim të prapambetur për shërbimin e marrë nga UKT.

Në bazë të kësaj aktmarrëveshjeje kanë ndryshuar këstet mujore të pagesave të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata për furnizmin me ujë të vendosura në Aktmarrëveshjen “Për pagesën e detyrimeve me këste për kategorinë e konsumatorëve, “Privat, Biznes i vogël”.

Çdo konsumator debitor, biznes i vogël/ privat me hyrjen në fuqi të kësaj aktmarrëveshje do të paguajë 7000 ( shtatëmijë) lekë në muaj plus vlerën e faturës mujore.

Ndërkohë që me aktmarrëveshjen e vjetër konsumatori biznes  i vogël/ privat  duhet të paguante 20 për qind të totalit të debisë në momentin e lidhjes së aktmarrëveshjes me UKT sh.a  dhe 10 përqind të debisë së mbetur plus faturën e përmuajshme të ujit.

Ky vendim i ri lehtëson mënyrën e shlyerjes së debisë për këtë kategori të biznesit e njëkohësisht synon të nxitë konsumatorin biznes i vogël/ privat që të lidhë sa më shpejt aktmarrëveshjen e re.

Për lidhjen e kësaj aktmarrëveshje konsumatori i kategorisë “Privat” duhet të paraqesë kopje të NIPT dhe Ekstratin e lëshuar nga QKR, që të vërtetojë se kategorizohet si Biznes i Vogël.  Këto dokumenta dhe letërnnjoftimi i konsumatorit i bashkëlidhen Akt-Marrëveshjes.

Bashkia e Tiranës dhe UKT nisin punimet për rrjetin e ri të ujësjellësit dhe asfaltimin e Rr: “Vllazën Huta”

Banorët e bllokut të pallateve në rrugën “Vllazën Huta”, pranë Ministrisë së Jashtme, shumë shpejt do të kenë jo vetëm një rrjet modern ujësjellësi, por edhe një rrugë të re. Bashkia e Tiranë dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kanë nisur punën për shtrimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në këtë lagje, si dhe kryerjen e punimeve që do të vijojnë me asfaltimin e rrugës dhe pajisjen e saj me sinjalistikën e nevojshme. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u njoh me ecurinë e deritanishme të investimit, theksoi se ky është një standard i ri punëve publike në Tiranë, në koordinim të plotë mes institucioneve.

“Ky investim vjen si risi në Bashkinë e Tiranës. Historia që kemi pasur deri më sot, ku një institucion shtronte rrugën, kurse tjetri e hapte për të vendosur tubacione, mbaron një herë e mirë sot. Do të thotë se nga tani e tutje, aty ku Bashkia e Tiranës punon për të rregulluar rrugën, fillimisht futet ujësjellësi për të riparuar kanalizimet dhe për të vendosur rrjetin e ri”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Më tej, ai theksoi se ashtu siç është bërë praktikë tashmë edhe në lagje të tjera të Tiranës, ky investim vjen në formën e një shpërblimi për banorët zonës për korrektesën dhe gatishmërinë e treguar në vazhdimësi në pagimin e taksave dhe detyrimeve të tjera ndaj bashkisë.

“Kjo është një ndër zonat që paguan në mënyrë korrekte faturat e ujit dhe dua t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve se sa më korrektë janë, aq më shumë na mundësojnë që t’ua kthejmë këtë me investime”, tha Veliaj. Gjithashtu, ai deklaroi se punimet që po kryhen në këtë zonë janë pjesë e një aksioni të madh që po zhvillohet nga UKT në zona të ndryshme të Tiranës, duke synuar zëvendësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit dhe shtimin e depove të ujit në zonat periferike të Tiranës.

“Kemi punuar shumë në Bathore, në Laknas, kurse në Sharrë jemi shumë afër përfundimit. Po ashtu, rrjeti i ujësjellësit në Yzberisht, i cili furnizon një pjesë të madhe të Tiranës, ka ecur me ritme shumë të kënaqshme”, shtoi kryebashkiaku Veliaj. Ai garantoi edhe një herë se besimin që qytetarët i dhanë kësaj administrate rreth një vit më parë, po përkthehet me punë në të mirë të qytetit. “Dua t’u kujtoj gjithë qytetarëve se po mbushet rreth një vit nga 21 qershori kur u votua për të punuar në Tiranë. Pavarësisht pengesave, stërkëmbshave, sabotimeve, i garantoj gjithë qytetarët që jam i fokusuar që vota që dhanë në datën 21 qershor të përkthehet me punë, punë, punë”, përfundoi Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i UKT-së, Redi Molla theksoi se falë këtij investimi do të përfitojnë afro 200 familje, të cilat deri tani vuanin jo vetëm nga mungesa e ujit, por edhe nga problemet me pastërtinë e ujit që vinte nga rrjeti. Në kuadër të investimeve të nisura në të gjithë qytetin e Tiranën për përmirësimin e shërbimit të ofruar, UKT sh.a ka filluar punën për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në rrugën “Vllazën Huta”, pranë Ministrisë së Jashtme. Ky investim i jep zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj rruge, por njëkohësisht eleminon humbjet e shkaktuara në rrjet nga amortizimi dhe lidhjet e paligjshme. Bashkë me këtë rrjet do të ndërtohet edhe një pusetë komandimi, e cila do të manovrojë gjithë rrjetin në këtë segment rruge.

vllazen huta foto

5000 matësa uji për Kasharin dhe Dajtin, nis fushata e UKT-së

Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka nisur nga dita e hënë fushatën për pajisjen me matësa uji për banorët e njësive administrative në Dajt dhe Kashar.

Kjo fushatë për formalizimin e  shërbimit, e cila synon t’i japë fund informalitetit, vjen pas aksionit të ndërmarrë në këto njësi për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të furnizimit me ujë.

Paralelisht me vendosjen e matësave të rinj, nga UKT do të bëhet edhe kolaudimi i matësave ekzistues, pasi në rast të defekteve ata nuk lexojnë sasinë e ujit që konsumohet.

Në këtë fazë është parashikuar që të vendosen 5000 matësa të rinj, veç kolaudimit të atyre ekzistues.

Qytetarët e këtyre njësive ftohen t’i bashkohen fushatës dhe të vendosin matësat e tyre të ujit, pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të paguajnë aq ujë sa konsumojnë.

Nga aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në këto zona, u konstatua se uji i i pijshëm shpërdorohej, duke u përdorur në aktivitete të tjera si vaditje, lavazhe etj.

Ndaj UKT fton qytetarët t’i bashkohen kësaj fushate për të vendosur matësa të rinj dhe për të lidhur kontratën e  tyre.

Me Reformën e re Territoriale, UKT tashmë ka marrë gjithë shërbimet e ish-komunave dhe po punohet intensivisht për nxjerrjen e  tyre nga informaliteti si dhe për sensibilizimin qytetar për të mos shpërdoruar ujin pa kriter.

Të gjithë banorët e njësive në Dajt dhe Kashar duhet të drejtohen në njësitë përkatëse të UKT-së për të lidhur kontratën dhe për të vendosur matësat e rinj.

mastesa

Riparohet brenda natës defekti në Selitë

Pas denoncimit të bërë publik nga banorët e rrugës “Mentor Xhemali” në Selitë, UKT sha ka çuar menjëherë në terren skuadrat e saj të punëtorëve.
Nga konstatimet në vend u verifikua se nga dëmtimi i tubacioneve, uji i pijshëm derdhej në rrugë duke shkaktuar probleme jo vetëm në furnizimin me ujë të pijshëm, por duke përmbytur edhe rrugën.
Pavarësisht kushteve jo të favorshme dhe errësirës, puntorët e UKT-së kanë bërë të mundur riparimin brenda orëve të natës të këtij defekti.
UKT sha fton qytetarët që të bashkëpunojnë për çdo rast ku ka një problem dhe në të njëjtën kohë të kontribuojnë duke mos hedhur mbeturina plastike në tubat e shkarkimit apo edhe rrugë, të cilat shpesh janë shkaku kryesor i bllokimit të pusetave në raste reshjesh.

selita

FOTO/ Aksion për zhbllokimin e kolektorëve

Skuadrat e puntorëve të UKT-së kanë nisur aksionin për pastrimin dhe zhbllokimin e kolektorëve të ujërave të zeza në disa zona të raportuara si problematike në Tiranë

Këto foto të bëra gjatë punës në Selitë, tek xhamia tregojnë se çfarë është hedhur në tubat e shkarkimit nga banorët e Tiranës.

Mbeturina  si rroba, qese plastike madje dhe shishe uji janë gjendur në kolektorë. Mbeturina të tilla, të  hedhura pa kujdes nga qytetarët janë një nga arsyet kryesore të bllokimit të kolektorëve në rastet e reshjeve të dendura të shiut, të cilat disa herë kanë shkaktuar përmbytje në rrugët e qytetit.

Le të ndihmojmë të gjithë në eleminimin dhe pakësimin e problemeve me ndotjen e papastëritë në qytetin tonë. Kushton shumë pak. Mjafton të hedhim çdo gjë në koshin e duhur!

aksioon 3

aksion 1

Aksioni i UKT-së për lidhjet e paligjshme. Përfundon Kodër-Linzë, nis Kashari!

Në njësinë administrative Dajt, sipas një azhornimi të bërë nga UKT, rezultojnë shumë lidhje të paligjshme.

Denoncimi, mbi situatën, fillimisht erdhi nga banorët e zonës të cilët janë ankuar për mungesën e ujit të pijshëm. Pas denoncimit u verifikua se bëhej fjalë për lidhje të paligjshme, nëpërmjet ndërhyrjeve abuzive  në tubin kryesor që furnizon qytetin e Tiranës dhe tek tubat që furnizojnë depot kryesore të Dajtit.

Si rezultat i këtyre evidentimeve të bëra nga stafi i UKT, Drejtoria Rajonale dhe grupi i Task Force,  është bërë një plan pune për të ndërhyrë në të gjitha pikat ku janë bërë këto lidhje të paligjshme.

Ky plan masash i ndërmarrë nga UKT, ka për qëllim përmirësimin e furnizmit me ujë të pijshëm në zonën e Dajtit, sidomos në zonën Qesarak , pasi për shkak të lidhjeve të paligjshme nuk bëhet i mundur furnizimi me ujë, duke qenë se banorët e përdorin ujin e marrë për vaditje.

Ndërhyrja e parë ka filluar në zonën e Kodër Linzës, ku aktualisht janë bërë 12 prerje të paligjshme në linjën që furnizon depon e LAZARETIT.

E njëjta punë do të vazhdojë në të gjitha njësitë administrative ku ka ndërhyrje të paligjshme në rrjet. Pas aksionit në zonën e Dajtit, UKT do të vijojë me evidentimin e problemeve në Kashar.

lidhej te paligjsdhme

 

Përfundon riparimi i tubit të dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut

Përfundon me sukses riparimi i defektit të rëndë, i ndodhur tre ditë më parë si pasojë e rrëshqitjes së dherave përgjatë tubit kryesor që furnizon me ujë zonën e Tiranës së Re, Komunën e Parisit, Qesarakë, Shkozë, Sauk, Sanatorium dhe Qytet Studentin.
Puntorët dhe stafi i UKT-së kanë punuar gjatë gjithë kohës, për të riparuar në kohë tubin e dëmtuar, punë e cila vështirësohej për shkak të terrenit të vështirë.
Gjatë kësaj kohe UKT ka bërë maksimumin që gjatë riparimit të defektit, të gjitha zonat e prekura të mos vuanin mungesën e ujit të pijshëm për orë të gjata, duke vënë në punë linja alternative për furnizimin me ujë.
Nga dita e sotme rifillon furnizmi normal me ujë të pijshëm.
Falenderojmë gjithë qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin gjatë këtyre ditëve!

defekt

Rrëshqitje dheu, kufizim i furnizimit me ujë në disa zona të Tiranës

UKT njofton se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, gjatë natës ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu përgjatë tubit kryesor që furnizon zonën e Tiranës së Re, Komunës së Parisit, Qesarakë, Shkozë, Sauk, Sanatorium dhe Qyteti Studenti. Rrëshqitja e dheut ka shkaktuar dëmtime serioze në këtë tub.

Për këtë arsye këto zona të Tiranës do të kenë kufizime të furnizimit me ujë.

UKT po punon intensivisht për zgjidhjen e situatës, duke angazhuar të gjitha forcat në terrenin e vështirë të zonës.

 

Falenderojmë të gjithë qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin!

foto ukt jpg

Debitorët me faturat e ujit-Familjarët paguajnë vetëm 2 mijë lekë në muaj

Të gjithë konsumatorët familjarë që janë debitorë ndaj UKT-së, tani kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e prapambetura duke paguar një tarifë fikse mbi faturën mujore të ujit të pijshëm. Për t’i ardhur në ndihmë familjeve debitore dhe për të lehtësuar barrën e pagesave të pakryera për faturën e ujit të pijshëm, UKT lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re me konsumatorin.

Në bazë të kësaj akt-marrëveshje tani çdo konsumator familjar, i cili për arsye të ndryshme apo pamundësi financiare ka akumuluar detyrime të pashlyera për periudha kohore të gjata, do të paguajë çdo muaj 2 mijë lekë të reja plus vlerën e faturës së përmuajshme. Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re të gjithë konsumatorëve familjarë debitor u ofrohet një skemë, e cila synon të jetë e përballueshme për cilindo që ka borxhe të papaguara ndaj UKT-së.

Me akt-marrëveshjen e vjetër, konsumatori duhet ta kryente pagesën me këste mujore, ku kësti i parë përbënte 20% të vlerës së detyrimit, plus faturën koherente mujore. Ndërsa këstet e tjera vijonin të përshkallëzuara, me 10% të vlerës së detyrimit të mbetur, duke i shtuar faturën e muajit.

Ky vendim synon të lehtësojë mënyrën e pagesës për konsumatorët familjarët debitor me UKT-ën dhe të nxitë gjithë konsumatorët që të shlyejnë gjithe detyrimet e parapambetura ndaj UKT sh.a .

Ndërpreje e ujit të pijshëm në Kombinat

Ujësjellës Kanalizime Tiranë njofton qytetarët, se në zonën e Kombinatit ditën e sotme, e premte, 15 prill do të ketë kufizim të furnizimit me ujë të pijshëm deri në orën 18:00.

Kjo ndërprerje vjen si pasojë e punimeve që po kryhen aktualisht në rrjetin e ujësjellësit pranë Mbikalimit të Unazës së Re.

Faleminderit për mirëkuptimin!