Ndërhyrje të rënda abuzive në tubat kryesorë dhe ata të shpërndarjes janë verifikuar në Linzë, tek ish-gurorja në Dajt nga Drejtoria Rajonale dhe grupet Task Forcë të UKT-së.  Pas punës në terren u konstatuan  ndërhyrje të paligjshme në linjat e shpërndarjes të furnizimit me ujë nga persona të paautorizuar.

Këto ndërhyrje me përmasa të konsiderueshme mendohet se janë bërë nga furnizuesit me ujë të boteve, të cilët vinin në këtë zonë. Grupet në terren të UKT-së kanë marrë masa të menjëhershme për të ndërprerë këto lidhje abuzive, të cilat shkaktonin  humbje të mëdha në rrjet.

Veç këtij aksioni, grupet në terren të UKT-së po vijojnë verifikime të tjera në zonë, ku shumë raste janë raportuar nga banorë të ndryshëm.

Në zonën e Dajtit, por edhe në ish-komunat e tjera po punohet intensivisht për të formalizuar shërbimin, për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e pagesës të ujit, por sidomos mbi sensibilizimin e banorëve për të raportuar dhe për të mos kryer lidhje të paligjshme në linjat e furnizimit me ujë të pijshëm.

UKT sh.a është e vendosur në luftën e saj kundër çdo lloj abuzimi që bëhet në rrjetin e shpërndarjes, duke krijuar për pasojë humbje si dhe pakësim të ujit në tubacionet e ujësjellësit.

dajt ukt