Ujësjellës Kanalizime Tiranë me qëllim lehtësimin e pagesës për konsumatorin debitor, biznes i vogël/privat, lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Aktmarrëveshja e re për biznesin e vogël, vjen pas asaj për konsumatorin familjar dhe politikave të UKT-së për lehtësimin e skemës për shlyerjen e borxhit të akumuluar ndër vite dhe nxitjen e konsumatorit debitor për të shlyer çdo detyrim të prapambetur për shërbimin e marrë nga UKT.

Në bazë të kësaj aktmarrëveshjeje kanë ndryshuar këstet mujore të pagesave të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata për furnizmin me ujë të vendosura në Aktmarrëveshjen “Për pagesën e detyrimeve me këste për kategorinë e konsumatorëve, “Privat, Biznes i vogël”.

Çdo konsumator debitor, biznes i vogël/ privat me hyrjen në fuqi të kësaj aktmarrëveshje do të paguajë 7000 ( shtatëmijë) lekë në muaj plus vlerën e faturës mujore.

Ndërkohë që me aktmarrëveshjen e vjetër konsumatori biznes  i vogël/ privat  duhet të paguante 20 për qind të totalit të debisë në momentin e lidhjes së aktmarrëveshjes me UKT sh.a  dhe 10 përqind të debisë së mbetur plus faturën e përmuajshme të ujit.

Ky vendim i ri lehtëson mënyrën e shlyerjes së debisë për këtë kategori të biznesit e njëkohësisht synon të nxitë konsumatorin biznes i vogël/ privat që të lidhë sa më shpejt aktmarrëveshjen e re.

Për lidhjen e kësaj aktmarrëveshje konsumatori i kategorisë “Privat” duhet të paraqesë kopje të NIPT dhe Ekstratin e lëshuar nga QKR, që të vërtetojë se kategorizohet si Biznes i Vogël.  Këto dokumenta dhe letërnnjoftimi i konsumatorit i bashkëlidhen Akt-Marrëveshjes.