Prej 20 viteve e gjithë bota i ka rënë këmbanës së alarmit për rrezikun e shpërdorimit të një prej të mirave më të mëdha universale siç është uji.
Bota nisi të mendojë dhe të marrë disa vendime të rëndësishme për mjedisin dhe mbrojtjen e tij, që për shekuj ishin lënë pasdore.
Në vitin 1992, Organizata e Kombeve të Bashkuara, gjatë një konference të rëndësishme për mjedisin që u mbajt në Rio de Zhaneiro, vendosi që 22 Marsi të jetë DITA NDËRKOMBËTARE E UJIT.
Çdo 22 Mars, OKB fton vendet anëtare të saj që t’ja kushtojnë këtë ditë sensibilizimit por edhe veprimit për ruajtjen e begatisë më të madhe që njeriut i ka falur natyra – ujit.
Edhe në Shqipëri kjo datë ka hyrë si një traditë reflektimi dhe aktivizimi social mbi sensibilitetin për ruajtjen dhe administrimin e ujit.
Ky sensibilizim kryhet kryesisht nga shoqëria civile, ndërkohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë si një kompani që kujdeset dhe punon çdo ditë për të mirëadimistruar ujin dhe për ta ruajtur atë, punon vazhdimisht me shoqërinë civile dhe rininë që ta shtrijë dhe masivizojë këtë ndërgjegjësim.
I tillë ishte edhe aktiviteti që u zhvillua me një grup studentësh  të inxhinierisë hidroteknike.
Ky takim ishte një bisedë e hapur dhe vizita në liqenin e Bovillës dhe pikat e reja të UKT-së ku qytetarët marrin informacionin e duhur dhe gjithëpërfshirës.
U fol për procesin e trajtimit dhe shpërndarjes së ujit nga bovilla në të gjithë territorin e Tiranës së Madhe, por edhe për shërbimet e reja që ofron pika UKT për të ndihmuar qytetarët në çdo kohë dhe kudo që të kenë akses më të mirë dhe ta përdorin sa më me efikastitet këtë të mirë universale.
Uji është një gjë e çmuar që nuk e kanë të gjithë. Sipas të dhënave të OKB-së më shumë se 1 miliard njerëz në botë nuk kanë mundësinë që të kenë ujë të ëmbël.
Të gjitha vendet e botës kanë përcaktuar normativa të qarta ligjore për ruajtjen dhe përdorimin me kriter të ujit.
Harxhimi i ujit përbën një akt të domosdoshëm, por ne duhet të modifikojmë zakonet apo përditshmërinë tonë, madje edhe ato më të thjeshtat në mënyrë që të kemi kujdes në sasinë e ujit që përdorim.
Thelbi i gjithçkaje është që të përdorim sasinë e nevojshme dhe jo më shumë.