Njoftim

Ujësjellës Kanalizime Tiranë njofton se për shkak të një remonti në rrjetin shpërndarës, zona e Yzberisht, Unazës së Re dhe Misto Mames mund të kenë kufizime në furnizimin me ujë gjatë orëve të mbrëmjes së sotme.

Stafi ynë po punon intensivisht për të rikthyer situatën në normalitet furnizimin në këto zona.

Falenderojmë banorët për durimin!

Njoftim për shtyp

Ujësjellësi i Tiranës, njofton se për arsye të një defekti teknik në stacionin e pompimit në depon e Kombinatit, sot do të ketë kufizime të pjesshme gjatë orëve të drekës në zonën e Kombinatit, Kodër-Sharrës dhe Prush.

Sigurojmë qytetarët që stafi i UKT-së po punon intensivisht për të rikthyer në normalitet situatën e furnizimit me ujë në këtë zonë në një kohë sa më të shkurtër.

Falenderojmë banorët për mirëkuptimin!

Zyra e Shtypit
Ujësjellës Kanalizime Tiranë

22 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Ujit

Prej 20 viteve e gjithë bota i ka rënë këmbanës së alarmit për rrezikun e shpërdorimit të një prej të mirave më të mëdha universale siç është uji.
Bota nisi të mendojë dhe të marrë disa vendime të rëndësishme për mjedisin dhe mbrojtjen e tij, që për shekuj ishin lënë pasdore.
Në vitin 1992, Organizata e Kombeve të Bashkuara, gjatë një konference të rëndësishme për mjedisin që u mbajt në Rio de Zhaneiro, vendosi që 22 Marsi të jetë DITA NDËRKOMBËTARE E UJIT.
Çdo 22 Mars, OKB fton vendet anëtare të saj që t’ja kushtojnë këtë ditë sensibilizimit por edhe veprimit për ruajtjen e begatisë më të madhe që njeriut i ka falur natyra – ujit.
Edhe në Shqipëri kjo datë ka hyrë si një traditë reflektimi dhe aktivizimi social mbi sensibilitetin për ruajtjen dhe administrimin e ujit.
Ky sensibilizim kryhet kryesisht nga shoqëria civile, ndërkohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë si një kompani që kujdeset dhe punon çdo ditë për të mirëadimistruar ujin dhe për ta ruajtur atë, punon vazhdimisht me shoqërinë civile dhe rininë që ta shtrijë dhe masivizojë këtë ndërgjegjësim.
I tillë ishte edhe aktiviteti që u zhvillua me një grup studentësh  të inxhinierisë hidroteknike.
Ky takim ishte një bisedë e hapur dhe vizita në liqenin e Bovillës dhe pikat e reja të UKT-së ku qytetarët marrin informacionin e duhur dhe gjithëpërfshirës.
U fol për procesin e trajtimit dhe shpërndarjes së ujit nga bovilla në të gjithë territorin e Tiranës së Madhe, por edhe për shërbimet e reja që ofron pika UKT për të ndihmuar qytetarët në çdo kohë dhe kudo që të kenë akses më të mirë dhe ta përdorin sa më me efikastitet këtë të mirë universale.
Uji është një gjë e çmuar që nuk e kanë të gjithë. Sipas të dhënave të OKB-së më shumë se 1 miliard njerëz në botë nuk kanë mundësinë që të kenë ujë të ëmbël.
Të gjitha vendet e botës kanë përcaktuar normativa të qarta ligjore për ruajtjen dhe përdorimin me kriter të ujit.
Harxhimi i ujit përbën një akt të domosdoshëm, por ne duhet të modifikojmë zakonet apo përditshmërinë tonë, madje edhe ato më të thjeshtat në mënyrë që të kemi kujdes në sasinë e ujit që përdorim.
Thelbi i gjithçkaje është që të përdorim sasinë e nevojshme dhe jo më shumë.

Tuneli në Dajt, një vepër e madhe hidro-energjitike

Tuneli në Dajt, një vepër e madhe hidro-energjitike, që garanton të ardhmen e Tiranës dhe aset për banorët e zonës!

Një nga projektet e mëdha të ndërmarra nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë është ai i shfrytëzimit më të mirë të burimeve të Shën Mërisë, duke rritur kapacitetin e vetërrjedhjes, gjë që shton në sasi të konsiderueshme ujin për qytetarët, por edhe ujin që ushqen hidrocentralin e Lana Bregasit për të rritur sasinë e energjisë së prodhuar.

Ky investim hyn tek projektet strategjike që i shërbejnë së ardhmes, në mënyrë që t’i paraprihet rritjes së popullatës dhe shtimit të cilësisë së shërbimit.

”Projekti i ri i rikonceptimit të burimeve të Shën Mërisë është një ndërmarrje e madhe dhe ambicioze por dhe tepër e nevojshme duke parë situatën ekzistuese të kësaj linje, e cila është e amortizuar në disa pjesë dhe jo rentabël nga pikëpamja ekonomike.

Qëllimi i ndërtimit të këtij projekti është shfrytëzimi në kapacitet të plotë të burimeve të Shënmërisë dhe të mos përdoren vetëm prurjet e burimit të Selitës.

Ai synon që të shfrytëzojë burimet me anë të rrjedhjes së lirë dhe jo me anë të stacionit të pompimit të Qafë Mollës i cili kërkon shumë kosto në mirëmbajtje dhe në energji për pompat që kryejnë ngritjen mekanike të ujit deri në hyrje të tunelit ekzistues të Dajtit.

Është një projekt kompleks pasi përveç linjës së re të transmetimit po ndërtohet edhe një tunel për të kaluar Malin e Dajtit, gjithashtu do të ndërtohet një basen të ri presioni për rënien e ujit në HEC Lana Bregas.

Zona ku ndodhen 5 burimet e këtij ujësjellësi ndodhet në rrëze të Malit me Gropa në fshatin Shënmëri, këto burime janë karstike. Ato  merren nëpërmjet kaptazheve tipe galeri dhe në linja të veçanta futen në Depon grumbulluese, katër prej këtyre burimeve mblidhen në depo në kuotë 809.00 m ndërsa burimi i pestë futet direkt në tubin e trasmetimit për në Qafë Mollë.

Zona që duhet të përshkojë linja e transmetimit të ujësjellësit fillon nga kuota +809 m më pas zbret në kuotën e +420 m pranë luginës në afërsi të Domjes dhe më tej në ngjitje do të duhet të kapërcejë masivin e malit të Dajtit për të zbritur sërish në kuotën e +320 m që është edhe kuota e H/C të Lanabregasit

Përdorimi i ujërave nëntokësore të malit të Dajtit nuk është intensiv, vetëm burimet e mëdha dhe të vogla të Bovillës janë përfshirë, me rrjedhje të lire, në furnizimin me ujë të Tiranës që nga viti 1974.

Ujësjellësi i Tiranës nga burimet e Shën-Merise përfiton vetëm sasinë e ujit pa të ardhura ekstra. Që janë të ardhura nga prodhimi i shtuar i energjisë në HEC Lana Bregas por edhe ulja e kostove nëpërmjet mirëmbajtjes së stacioneve të pompimit.

Gjithashtu linja ekzistuese nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të transmetuar të gjithë sasinë e ujit që prodhohet nga burimet e Shën Mërisë. Aktualisht kapaciteti makimal i linjës ekzistuese është rreth 650 litra për sekondë. Në situatën e sotme uji i Shënmërisë përdoret në varësi të prurjeve që ka Selita, duke qenë se prurjet e burimeve janë variabël gjatë vitit.

Në rastet kur ulen prurjet nga Burimet e Selitës rritet sasia e pompuar e ujit që vjen nga Shënmëria në mënyrë që të balancohet kërkesa për ujë, por duke rritur në mënyrë të drejtpërdrejtë kostot e operimit. Kurse projekti i ri rrit në mënyrë të ndjeshme të gjitha parametrat dhe ul kostot.

Ujë-matësi çelësi juaj i sigurisë!

Pajisja me një të tillë siguron që të faturoheni vetëm për sasinë e konsumuar të ujit dhe për asnjë pikë më tepër.

Çdo konsumator duhet të kujdeset që të jetë i pajisur me një ujë-matës brenda kushteve teknike. Proçesi i kolaudimit është çertifikata juaj e cilësisë.

Ju mund të kontrolloni sasinë e konsumuar të ujit të shprehur në faturën e muajit, duke e krahasuar atë me sasinë e regjistruar në ujëmatësin tuaj.

Për çdo dyshim që mund të keni mbi mirë-funksionimin e ujëmatësit tuaj mund të drejtoheni në pikën më të afërt UKT për të bërë një kërkesë për “Verifikim Ujëmatësi”, brenda pak ditësh stafi i Ujësjellësit do të kryejë verifikimin në vend.

Nëse keni një kontratë uji me UKT por ende nuk keni një ujëmatës, aplikoni për një të tillë pranë Pikës UKT më të afërt duke paraqitur dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Librezë Uji ose kopje të faturës së ujit
  • ID
  • Pagesa pranë arkës e tarifës, ose  me faturën e muajit pasardhës

Ujëmatësi i pakolauduar nga subjekti i liçensuar për këtë proçes, është i pavlefshëm, dhe konsiderohet i parregullt.

UKT kryen verifikime dhe kontrolle periodike të ujëmatësave të vendosur në objektin tuaj. Në rastet kur nga procesi i kolaudimit rezulton se  aparati i ujëmatësit është jo funksional, konsumatori njoftohet dhe procedura e ndërrimit të aparatit ujëmatësit kryhet nga punonjësit e UKT-së. Në bazë të vendimit të Entit Rregullator të Ujit, vlera e ujëmatësit paguhet nga konsumatori i cili është edhe pronar i tij, kjo vlerë mund të  tarifohet edhe në faturën e muajit pasardhës.

Është e përcaktuar në ligj se çdo ujë matës duhet të ndërrohet çdo  7 deri në 10 vjet, ai kolaudohet sa herë që konsumatori apo verifikuesi i ujësjellësit kanë dyshime mbi funksionimin e tij, ose në çdo 60 muaj.

Në vendimin nr. 1304, dt. 11.12.2009 të Këshillit të Ministrave, është përcaktuar qartë që:

“Objektet do të projektohen detyrimisht me instalimtë brendshme të ujit të pijshëm përfshirë ujëmatësit. Ujëmatësit duhet të vendosen në vende të dukshme dhtë sigurta  duhet të aprovohen nga UKT Sh.a.”

“Në çdo pikë lidhjeje duhet të instalohet ujëmatës  lejon të regjistrohet e gjithë sasia e ujit të konsumuar  objekt. Rekomandohet vendimmarrja për ujëmatësit, te jete ne përputhje mrekomandimet qe kemi me Bashkëpunimin Ligjor Europian te Metrologjisë, përmes Direktivës së rEuropiane “Për Instrumentet Matës 75/33 EC.”

“UKT Sh.a. përcakton tipin, madhësinë, vendosjen, instalimin, mbikëqyrjen teknikevendësimin dhe 

heqjen e matësit të ujit. Për godinat shumëkatëshe kërkohet vendosja e matësve të ujit të grupuar në katin përdhe dhe në një vend të mbrojtur që lejon një lexim të lehtë të tyrnga stafi i shoqërisë, i cili është i ngarkuar me faturimin ose mirëmbajtjen.

Kufizime të furnizimit më ujë të pijshëm

KANALIZIME-FOTO

Ujësjellësi i Tiranës, njofton se për arsye të një defekti në rrjetin OSHEE-së, në stacionet e pompimit në Bërxull, Laknas dhe pranë Coca Colës mungon energjia elektrike. Për këtë arsye do të ketë kufizime të furnizimit më ujë të pijshëm në zonën e Yzberishtit, Kodër Kamëz, rr. Dytësore në Autostradën Tiranë-Durrës, Fushë-Mëzes, fshatrat Bërxull, Domje dhe Laknas.

Stafi i OSHEE-së dhe UKT-së janë të impenjuar maksimalisht për rikthimin e situatës në normalitet.

UKT merr përsipër rinovimin e matësve të dëmtuar nga ngrica

Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka konstatuar se një pjesë e matësve të ujit në lidhjet me abonentët janë dëmtuar si pasojë e ngricës, dhe temperaturave shumë të ulëta.

Nisur nga kjo situatë emegjence, UKT ka vendosur që të gjithë këto dëme të shkaktuara nga moti i pazakontë, të zgjidhen duke zëvendësuar apo rinovuar të gjithë matësat e dëmtuar nga ngrica.

Tashmë ka nisur procesi për të evidentuar të gjitha dëmtimet e matësve të ujit në të gjithë territorin e Tiranës që janë shkaktuar nga i ftohti.

UKT fton të gjithë qytetarët që të telefonojnë në numrin e gjelbër që është në funksion 24 orë 0800 44 88 për të raportuar çdo rast të ngjashëm.

Pjesë e kësaj fushate janë të gjitha rastet e dëmtimeve nga temperaturat e ulëta dhe ngrica, të sinjalizuara brenda 5 ditësh në njësinë përkatëse të Ujësjellësit.

Bashkia e Tiranës dhe UKT, investim në rrjetin e ri të ujësjellësit që furnizon gjysmën e Tiranës

Bashkia e Tiranës dhe UKT ka nisur zbatimin e një tjetër projekti të rëndësishëm, i cili synon zëvendësimin e të gjithë tubacionit të vjetëruar me qëllim shmangien e humbjeve të ujit në rrjet, si dhe furnizimin e qytetarëve me një cilësi dhe standard më të mirë. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërhyrja në zëvendësimin e gjithë tubacionit kryesor nga rruga “Todi Shkurti” deri te Pedonalja para selisë së Parlamentit, segment ky që ka shfaqur gjithmonë problematikë në rrjedhjen e ujit në rrugë. Punimet kanë vijuar edhe në orët e vona të natës për të garantuar përfundimin e tyre sa më shpejt, në mënyrë që të evitohen pengesat e ndryshme për trafikun dhe furnizimin e qytetarëve me ujë.

Punimet u ndoqën edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS, Besnik Bare dhe drejtori i UKT-së, Redi Molla. Pasi u njoh me detajet e projektit dhe punën që po realizohet, Veliaj theksoi angazhimin e përditshëm të bashkisë për të bërë investime që sjellin përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të jetesës, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të shkaktohen gjatë realizimit të punimeve.

“1 vit më parëpremtuam një bashki që punon me 3 turne. E di që sa herë që ndërtohet diçka, sa herë që bëhet një investim, sigurisht ka impakt në trafik, në mënyrën se si bëhet qarkullimi në qytet. Por, edhe sa herë që rregullojmë shtëpinë, dhomën e ndenjes apo dhomën e gjumit, shtëpia paralizohet ato ditë që ka punime në shtëpi. Tirana është shtëpia jonë e madhe, që do të thotë se sa herë që ka punime kërkohet mirëkuptim.Ajo që premtojmë dhe që po angazhohemi edhe tani në mes të natës, është që do të punojmë me 3 turne, që punët të mbarojnë sa më shpejt, por nuk mund të kërkojmë një Tiranë moderne nëse nuk i bëjmë këto investime”, tha Veliaj.

 

Ai theksoi se punimet për kanalizimet në segmentin që nis nga Xhamia e Tabakëve deri në rrugën para Parlamentit pritet të përfundojnë brenda 12 ditëve. “Kemi zgjedhur edhe këtë aks që përshkon mes për mes Tiranën, duke filluar nga Xhamia e Tabakëve, rruga e Shkollës së Baletit, kryqëzohet me Lanën dhe pastaj vazhdon në rrugën e Parlamentit. Edhe në Parlament shkohej me çizme vetëm prej ujit, që tre herë në ditë mbushte gjithë territorin. Po i bëjmë të gjitha këto punime me 3 turne. Në 6 ditë kemi bërë thuajse gjysmën e punës, 6 ditë të tjera për të mbaruar”,deklaroi kreu i Bashkisë. Veliaj pohoi se me të njëjtin ritëm do të punohet për çdo punë në kryeqytet, ndërsa theksoi se gjatë këtij viti do të ketë shumë kantiere të hapura njëherësh në mënyrë që nesër të kemi një Tiranë më moderne.

 

“Me të njëjtin ritëm do të punojmë në Bulevardin e ri, po ashtu te sheshi “Skënderbej”. Vërtet ky do të jetë një vit ku Tirana do të hapet totalisht, por për t’u siguruar që punimet bëhen njëherë e mirë dhe qyteti jo vetëm që ka furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, jo vetëm që ka infrastrukturë moderne, por është një qytet që gjithmonë e më shumë u kthehet njerëzve. Tirana nuk njihte më përpara punën, jo më të njihte punën me tre turne. Qyteti me 1 milion banorë ka nevojë për një bashki që të paktën është 3 turne në krye të detyrës”, theksoi Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se gjatë vitit të dytë të këtij mandati fokusi do të vijojë me zonat rurale dhe akset kryesore në qytet.

 

“Ky vit i dytë do të ketë një fokus më të madh në zonat rurale, në disa nga akset kryesore. Ai për shembull që lidh rrugën nacionale Tiranë – Elbasan me njësinë tonë në Krrabë, me disa fshatra të njësisë në Pezë, me disa fshatra të njësisë tonë në Ndroq, në Kashar, në Zall-Herr edhe në Zallbastar. Besoj se do t’u tregojmë se si me të njëjtin zell që mbaruan çerdhet, kopshtet, ashtu do të vazhdojnë shkollat, ashtu do të punohet në qendër, ashtu do të punohet edhe në periferi”,deklaroi Veliaj. Kryetari i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të krijohen nga punimet në segmente të ndryshme rrugore.

 

Deputeti Besnik Bare vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të zgjidhur çdo problematikë në qytet. “Kishte gati 5 vjet që kur vinim në Parlament në fakt, parashikonim të vinim me çizme sepse thonim me vete që kur ndodh kjo para Parlamentit, ç’mund të ndodhë në periferi? Mirëpo falë kontributit dhe angazhimit të Bashkisë, ju e shikoni që Bashkia punon 24 orë, ky problem u zgjidh, dhe vërtet jemi të bindur se probleme të tilla të ngjashme do të zgjidhen gradualisht. Unë do t’i thosha përgëzime bashkisë për punën që po bën”, tha ai.

 

Për të shmangur krejtësisht humbjet e herëpashershme, UKT po kryen rikonstruksionin e plotë të tubacioneve të vjetra nga rruga Todi Shkurti deri te Pedonalja. Në total do të shtrohen rreth 1500 metër linear tubacion linjë kryesor dhe gati 350 metër linear rrjet shpërndarje, në një sipërfaqe prej 150 ha. Falë këtij investimi, banorët që jetojnë në qendër të Tiranës, zona  që kufizohet nga Bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Muhamet Gjollesha” dhe Rruga e “Durrësit” do të përfitojnë një shërbim të përmirësuar të furnizimit me ujë të pijshëm. Gjithashtu rikonstruksioni i rrjetit do të rrisë edhe presionin e furnizimit me ujë për gjithë zonën që preket nga rrugët e mësipërme.

ukt

Rrjeti i ri i ujësjellësit në zonën që kufizohet nga rrugët “Myslym Keta”, “Shefqet Kuka” dhe “Thoma Filipeu”/ Përfitojnë 12.000 banorë

Rreth 12 mijë banorë në periferi të Tiranës nuk do të kenë më probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Bashkia e Tiranës dhe UKT nisën investimin për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit në zonën që kufizohet nga rrugët “Myslym Keta”, “Shefqet Kuka” dhe “Thoma Filipeu” në Njësinë Administrative nr. 4, e cila i jep zgjidhje problemit të ujit të pijshëm i mbartur prej vitesh. Punimet u ndoqën nga afër sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS, Xhemal Qefaliaj, si dhe drejtori i UKT-së, Redi Molla.

Pasi u njoh me projektin dhe volumin e punës, kryebashkiaku Veliaj tha se ky investim i jep zgjidhje një kërkese të vazhdueshme të banorëve të kësaj zone, të cilët prej vitesh vuanin nga mungesa e ujit.

“Një nga kërkesat kryesore të banorëve të zonës ka qenë nevoja për furnizim me ujë të pijshëm dhe më cilësor. Besoj se ky investim i plotëson të gjitha këto nevoja. Koha kur Tirana ndahej në qendër dhe në periferi, në autoktone dhe në të ardhur, në zona të urbanizuara dhe zona informale, duhet të marrë fund. E vetmja mënyrë se si merr fund nuk është me fjalime, por duke bërë investime të tilla, që sjellin urbanizim. Nuk besoj se ka investim që sjell më shumë qytetërim se sa të pasurit ujë të pijshëm”, tha Veliaj.

Ai shfrytëzoi rastin që, në këto ditë të nxehta të verës, kur edhe burimet pakësojnë prurjet, t’u bëjë thirrje qytetarëve të bëjnë më shumë kujdes në përdorimin e ujit dhe të mos abuzojnë me të.

“I ftoj qytetarët që ta kursejmë ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është e papranueshme që në pikun e verës, vazhdojmë të përdorim ujë të pijshëm në lavazhe për të larë makina, për të ujitur e vaditur. Ndaj jemi treguar jashtëzakonisht të rreptë dhe do të vazhdojmë të jemi të rreptë më këdo që shpërdoron ujin. Nuk e bëjmë këtë sepse u kemi shpallur luftë lavazheve, por sepse na dhimbsen qytetarët që duan ujë”, deklaroi Veliaj, ndërsa kërkoi nga qytetarët që të denoncojnë çdo ndërhyrje të paligjshme dhe keqpërdorim të ujit të pijshëm.

Punimet për linjën e re të ujësjellësit në këtë zonë do të kryhen në dy lote, ku loti i parë përfshin zonën midis rrugëve “Gaqo Vakeli”, “Abaz Dojaka”, “Shefqet Kuka” dhe “Andon Kuqali”. Me anë të këtij investimi UKT synon t’i japë fund problemeve të furnizimit me ujë, si dhe ndërtimit të një rrjeti komplet i ri sipas të gjitha standardeve duke eliminuar në këtë mënyrë edhe shtrimet e paligjshme që janë gjetur si zgjidhje e përkohshme nga banorët.

shefqet kuka

Ujësjellësi i ri në Shkozë, përfitojnë 1500 banorë

Bashkia e Tiranës i jep zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Shkozës, të cilët prej më shumë se 20 vitesh vuanin nga mungesa e ujit dhe detyroheshin të furnizoheshin me bote. Me investimin e ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime Tiranë në këtë zonë bëhet e mundur që 1500 banorë të Njësisë Administrative nr. 1 të furnizohen me ujë nëpërmjet rrjetit të ri. Gjatë inspektimit të punimeve për zgjidhjen e problematikës së krijuar prej vitesh në këtë zonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se po investohet në çdo cep të qytetit.

“Kemi vendosur që në këtë zonë, të cilën e përfshin njësia 1 dhe është zhvilluar kryesisht pas viteve ’90, të investojmë në rrjetin kryesor të ujësjellësit që lidhet direkt me depon e ujit, për t’u siguruar që shtojmë ujin e pijshëm, në mënyrë që banorët të mos e blejnë me bot, por edhe të ndalim ndërhyrjet në rrjet”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se fillimisht UKT-ja po shtron rrjetin e ujit, mandej rruga do të shtrohet me asfalt dhe do të bëhet rehabilitimi urban i zonës. Sipas tij, ky koordinim midis kompanive publike bëhet për të shmangur çdo humbje në investimet e bashkisë, ndryshe nga sa veprohej më parë kur rrugët pasi asfaltoheshin çaheshin edhe njëherë nga ujësjellësi.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se krahas ndërtimit të infrastrukturës, po investohet edhe në kulturë. “Me infrastrukturë krijojmë kushtet që të ketë ujë të bollshëm në lagje dhe me kulturë sigurohemi që njerëzit ta paguajnë atë. Sigurohemi që qytetarët të marrin cilësi në shërbim, por edhe pa u prishur punë qytetarëve të tjerë duke ua vjedhur ujin me lavazhe apo me vaditjen e arave, e rrjedhimisht lënë pa ujë gjysmën e Tiranës”, theksoi Veliaj. Ai shtoi se nëse çmimin e ujit publik krahasohet me ujin që shitet me bote, qytetarëve u bie më lirë të jenë në rregull me shtetin se sa ta blejnë ujin me bote apo duke ndërhyrë në mënyra të paligjshme në rrjet, çka mund të të çojë edhe përpara drejtësisë. “Por, sigurisht që nuk ke të njëjtën cilësi nëse ujin e merr me bote, madje është edhe joetike, sepse duke vjedhur ujin nga rrjeti i bën dëm fqinjit tënd, kushëririt tënd, familjarit tënd disa metra më tutje”, tha Veliaj.

Nga investimet e fundit të UKT-së për shtrimin e linjave të reja dhe aksionet për eliminimin e humbjeve në rrjet, banorët e Tiranës kanë pasur më shumë furnizim me ujë krahasuar me të njëjtat periudha të viteve të kaluara. “Lajmi i mirë është që uji në Tiranë, edhe pse ky është një sezon i vështirë, me një thatësirë të jashtëzakonshme, është në dyfishin që ka qenë në një verë më përpara, por prapë nuk mjafton. Që t’ia arrijmë atij standardi dhe atij misioni që kemi vendosur për veten tonë, që të kemi ujë 24 orë, do të duhet që çdo zonë, atje ku ka një rrjet të mbyllur, të jetë korrekte dhe pastaj atë korrektesë të pagesës së faturës së ujit ne ta përkthejmë menjëherë në investime”, vijoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës paralajmëron nisjen e një sërë investimesh në ujësjellës-kanalizime që do të përmirësojnë furnizimin me ujë të qytetarëve. “Besoj se ky vit do të hyjë në histori si viti më radikal i ndërhyrjeve dhe i financimeve në ujësjellës dhe kjo në fakt u kushtohet jo punëtorëve të ujësjellësit, por qytetarëve të Tiranës. Korrektesa e tyre këtë vit në pagesën e ujit të pijshëm është përkthyer në një korrektesë dhe në një impenjim maksimal nga ujësjellës-kanalizimet e Tiranës për t’i çuar këto në investime”, theksoi Veliaj. Ai u ka kërkuar qytetarëve që të mos e shpërdorojnë ujin e pijshëm dhe ta trajtojnë atë si një mall të çmuar. “U bëj thirrje qytetarëve, vazhdoni të jeni korrektë me ujësjellësin, vazhdoni të kurseni ujë se është një mall dhe si çdo mall ka një fund dhe ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, me investime dhe me infrastrukturë të dobishme për këtë komunitet”, deklaroi Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, tha se më në fund i jepet zgjidhje problemeve të krijuara me furnizimin me ujë në rrugën ”Spahiu” në zonën e Shkozës, të cilët furnizoheshin deri tani me bote dhe puse. “Po shtrojmë linjë shpërndarje dhe furnizimi të ri të ujësjellësit. Përmes këtij investimi furnizohen mbi 1500 banorë, rreth 300 familje. Do të bëhet edhe azhornimi i zonës me kontrata të reja për furnizimin me ujë. Është rreth 2 mijë metra linear ujësjellës shpërndarje dhe rreth 1 mijë metra linear linjë transmetimi, totalisht e re dhe që zgjidh njëherë e përgjithmonë problemin e ujit”, deklaroi Redi Molla.

shkoze

Rrjet i ri ujësjellësit në zonën e Doganës/ Nga investimi përfitojnë 5 mijë banorë, dyfishohet koha e furnizimit me ujë të pijshëm

Zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për rreth 5 mijë banorë të zonës së Doganës, e cila kufizohet nga rrugët “29 Nëntori”, “Zografët” dhe “Teodor Keko”. Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë po përfundojnë investimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në këtë zonë, i cili po kryhet paralelisht me atë te Rruga e Elbasanit dhe Rr. Shefqet Kuka. Punimet e UKT-së u inspektuan dje në mbrëmje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nënvizoi se ky investim po kryhet paralelisht me procesin e urbanizimit të zonës.

“Mundohemi të shfrytëzojmë punën gjatë natës dhe në pushimet e verës, për të shmangur rëndimin e trafikut dhe telashet për qytetarët. Kjo është një zonë kryesisht informale, përgjatë Unazës së Re dhe mbikalimit të Kamzës, e cila është zhvilluar pas viteve ’90. Të gjithë e dimë se legalizimi nuk ka kuptim pa urbanizim. Por, që dikush të quhet se jeton në qytet duhet të ketë energji elektrike, ujë, rrugë e infrastrukturë. Kjo është arsyeja pse i kemi kombinuar të tre këto përpjekje, që rrjeti i energjetikës, rrjeti i ujësjellësit dhe ai i rrugëve e rrugicave që lidhin këtë lagje me 5 mijë banorë, të funksionojë në mënyrë paralele në investime”, tha kryebashkiaku Veliaj, i cili shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se falë këtij investimi synohet që, edhe në këtë zonë, të dyfishohet orari i furnizimit me ujë të pijshëm i familjeve dhe bizneseve. “Më vjen mirë që kjo verë, pavarësisht vapës së padurueshme, i gjen këto familje, të cilat sot kanë zero orë ujë, të paktën me 13 orë ujë në ditë. Ju kujtoj se një vit më parë, kur filluam misionin tonë në Bashkinë e Tiranës, Tirana kishte mesatarisht 7-8 orë ujë në ditë, kurse sot ka 12-13 orë. Do të thotë se, nga tani e tutje, qytetarët nuk presin autobotin për të mbushur ujë, por tani janë klientë të UKT-së që shërbehen me dinjitet, në varësi të faturës që paguajnë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se me punën dhe investimet që po realizohen, synimi është që pas 3 vitesh Tirana të shkojë drejt furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm. “Nuk është perfekte, por është thuajse 2 herë më mirë. Ndaj besoj se nëse do të vijojmë me këtë ritëm, do të shkojmë drejt fundit të mandatit me një Tiranë që do të ketë thuajse 24 orë ujë të pijshëm. Ky është një lajm i mirë për banorët, është mirë edhe për estetikën e qytetit, duke qenë se depozitat tashmë në disa zona kanë filluar të reduktohen. Kjo do të ndihet më shumë kur të jemi në fund të këtij mandate”, u shpreh kryebashkiaku.

Por, që puna e bashkisë të ketë efekt direkt te qytetarët dhe uji të shkojë te konsumatorët familjarë dhe bizneset, kryetari i bashkisë theksoi se është e nevojshme që të mos shpërdorohet. “Ne kemi sot çmimin më të ulët të ujit në rajon, kjo do të thotë që për aq pagesë modeste sa është fatura e ujit, është mëkat që njerëzit të vadisin tokat apo të lajnë makinat me ujë të pijshëm. Njerëzit janë më të rëndësishëm se makina, ndaj ju lutem, kursejeni ujin! Makinat nuk lahen me ujë të pijshëm! Kështu, sigurohemi që çfarë kursejmë nga abuzimet dhe vjedhjet në rrjet, apo nga uji i papaguar, t’u kthehet qytetarëve në më shumë orë ujë”, bëri thirrje Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët debitorë në pagesën e ujit të pijshëm që të përfitojnë nga lehtësirat që ka ofruar UKT-ja në këmbim të shuarjes së detyrimeve të mbartura prej vitesh. “U bëj thirrje qytetarëve të përfitojnë nga lehtësia që ka ofruar UKT-ja e Tiranës, e cila për të gjithë debitorët që kanë përdorur ujin e pijshëm ndër vite, disa herë duke e marrë në mënyrë të paligjshme, por gjithsesi e faturuar, duhet të fillojnë ta paguajnë dhe lehtësia që u ofron UKT është që ta bëjnë këtë me këste. Mjafton të paguajnë 2000 lekë plus faturën e muajit dhe ne nuk i quajmë më debitorë, nuk u faturojmë më kamatë, por i trajtojmë si qytetarë që po përfitojnë nga një ofertë ku borxhin e paguajnë pak e nga pak”, përfundoi Veliaj.

dogana

 

Përfundon rrjeti i ri i Ujësjellësit në Kodër-Sharrë, përfitojnë 150 familje

Merr fund problemi i furnizimit me ujë në një tjetër zonë të Tiranës. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka përfunduar shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit në Kodër-Sharrë, duke i dhënë fund problemit me ujin e pijshëm të mbartur prej vitesh. Në total, nga investimi i Bashkisë së Tiranës do të përfitojnë 150 familje që jetojnë në Kodër-Sharrë. Punimet u inspektuan edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla.

Pas inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Veliaj theksoi se edhe ky investim është një tjetër dëshmi e faktit se kur qytetarët janë të rregullt me pagesat e detyrimeve, ato u kthehen në investime. “Besoj se kjo është mënyra e drejtë për të ecur përpara, që qytetarët të jenë korrekt, dhe bashkia ua kthen në investime. Nuk presim të kalojnë 4 vjet, sa të vijë fushata e radhës që të bëjmë të njëjtat premtime, por ende pa u mbushur viti i parë, në të gjithë zonën e Kodër-Sharrës kemi sistemuar të dyja anët e kodrës. Uji i pijshëm ka qenë gjithmonë problem në këtë zonë, edhe pse ndodhen kaq afër depos së ujit. Është një nga ato çudirat shqiptare ku e ke burimin pranë, por nuk ke akses në të mirat materiale që sjell ai burim”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Nisur nga fakti se sapo kemi hyrë në stinën e verës, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin që përdorin, në mënyrë që UKT të ketë mundësi për një furnizim normal me ujë të të gjitha zonave të Tiranës. “U kërkoj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është një mall që ka fund. Do të thotë se nuk e kemi ujin pafund, sidomos me afrimin e stinës së ngrohtë. Kësisoj, kursejnë edhe pagesat që i japin ujësjellësit për ujin e pijshëm dhe mbi të gjitha, të raportojnë e denoncojnë të gjithë ata që përdorin ujin e pijshëm për aktivitet komerciale, siç mund të jenë lavazhe apo ujitje jashtë çdo kriteri me ujë të pijshëm të tokave bujqësore”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se Njësia 6, ku përfshihet Kombinati dhe zonat përreth tij, do të përfitojnë edhe nga një sërë projektesh të tjera të Bashkisë së Tiranës. “Ne do të bëjmë një rehabilitim total të gjithë pjesës së varrezave. Aty tregojmë se jemi një qytet me dinjitet, kur dhe të parët tanë i trajtojmë me respekt. Ashtu siç bëmë në Tufinë, varrezat e Sharrës do jenë projekti ynë i dytë për rehabilitimin. Ne do të bëjmë një rehabilitim të gjithë rrugës nga Kombinati ushqimor, ku po bëhet sot mbikalimi i Unazës së Madhe, deri në Sharrë. Më pas, qarkullimi në varreza do të bëhet me një kalim në formë unazore, për të shmangur bllokimin e rrugës”, tha Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i UKT-së, Redi Molla bëri një prezantim të projektit, ndërsa ka theksuar se banorët e kësaj zone kanë mundësi që të përfitojnë nga skema e aplikuar për shlyerjen e borxheve që kanë ndaj kësaj ndërmarrje për ujin e papaguar në vite. Në zbatim të projektit të ujësjellësit të Kodër-Sharrës janë shtrirë rreth 2 km tubacion, si dhe janë prerë të gjitha lidhjet e paligjshme që ekzistonin aty.

 

koder sharre

Zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për 30 mijë banorë të Unazës së Re dhe Yzberishtit

Rreth 30 mijë banorët që jetojnë në zonën e Yzberishtit, Unazës së Re dhe fushën “Misto Mame” do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm, falë investimit të ri të Bashkisë së Tiranës dhe UKT-së, të cilat në kohë rekord vunë në punë depon e re të ujit. Kjo depo, me kapacitet 4 mijë metra kub, si dhe rrjeti i ri i ujësjellësit, bëjnë të mundur furnizimin rregullisht me ujë të Yzberishtit, një nga zonat më problematike në Tiranë.

Punimet e realizuara nga UKT-ja u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se depoja e re e ujit në Yzberisht katërfishon prurjen e ujit në këtë zonë dhe i jep fund problemit të mbartur prej vitesh. “Falë këtij investimi zgjidhim çështjen e ujit të pijshëm për 30 mijë banorë. Do të thotë se në këtë zonë do ulet numri i boteve të ujit, por gjithashtu nga Yzberishti deri në “Misto Mame” do të kemi gjithmonë e më pak probleme për çështjen e ujit të pijshëm”, tha kryebashkiaku Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi qytetarët, të cilët kanë paguar rregullisht faturat e ujit, duke bërë të mundur një gjendje më të mirë financiare të UKT-së, çka sjell edhe më shumë investime në rrjetin e ujësjellësit.

“Ky ka qenë viti më i mbarë për UKT-në, ku pagesa e faturave ka shkuar në mbi 90%. Për herë të parë Tirana renditet mes qyteteve taksapaguese të mira siç janë Korça, Përmeti, të cilat e kanë traditë që qenit në rregull me pagesat. Tani që qytetarët janë treguar të rregullt me bashkinë, bashkia duhet të jetë po aq e rregullt me qytetarët. Më vjen mirë që ky investim zgjidh një ngërç që kishte zgjatur prej disa vitesh dhe e çon në drejtimin e duhur çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë zonën e Yzberishtit”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se në 11 muajt e fundit është bërë më shumë në ujësjellës se sa ishte bërë në 4 vite të marra bashkë.

Por, ky është vetëm një nga investimet që po bëhen në këtë zonë. Kryebashkiaku Veliaj tha se në këtë zonë janë duke u zhvilluar edhe një sërë investimesh të tjera, si në infrastrukturë rrugore, transport, etj. “Do të vijojmë me investime në këtë zonë dhe sipas planit të ri urbanistik do të shtojmë linjat e autobusëve, që komunikimi me Tiranën të jetë më i zhdërvjellët. Gjithashtu, do të vazhdojmë me projektin tonë të shkollave, kopshteve e çerdheve. Ato që banojnë këtu janë kryesisht familje të reja, e si të tilla kanë fëmijë të vegjël që kanë nevojë për çerdhe, kopshte e gjithë infrastrukturën sociale”, tha Veliaj.

Prej vitesh, familjet që jetojnë në këtë zonë kanë vuajtur mungesën e furnizimit me ujë, për shkak të rrjetit të munguar dhe një investimi serioz. Problematika e këtyre banorëve bëhej më e mprehtë sidomos në stinën e verës, gjatë së cilës mungesa e ujit kthehej në një pengesë për një jete normale. Tashmë, me investimin e kryer dhe ndërtimin e depos 4000 metra kub, katërfishohet volumi i ujit që shpërndahet në zonë. Kjo depo do të furnizojë me ujë zonën e Unazës së Re, si dhe zonën tek pallatet e KMY-së. UKT ka ndërtuar mbi 1.2 kilometër rrjet ujësjellësi, i cili tashmë shkon në çdo pallat, duke çuar ujë në familjen e çdo banori të zonës.

yzberisht

Ndërhyrje abuzive në tubat kryesorë të furnizimit me ujë, UKT asnjë tolerim

Ndërhyrje të rënda abuzive në tubat kryesorë dhe ata të shpërndarjes janë verifikuar në Linzë, tek ish-gurorja në Dajt nga Drejtoria Rajonale dhe grupet Task Forcë të UKT-së.  Pas punës në terren u konstatuan  ndërhyrje të paligjshme në linjat e shpërndarjes të furnizimit me ujë nga persona të paautorizuar.

Këto ndërhyrje me përmasa të konsiderueshme mendohet se janë bërë nga furnizuesit me ujë të boteve, të cilët vinin në këtë zonë. Grupet në terren të UKT-së kanë marrë masa të menjëhershme për të ndërprerë këto lidhje abuzive, të cilat shkaktonin  humbje të mëdha në rrjet.

Veç këtij aksioni, grupet në terren të UKT-së po vijojnë verifikime të tjera në zonë, ku shumë raste janë raportuar nga banorë të ndryshëm.

Në zonën e Dajtit, por edhe në ish-komunat e tjera po punohet intensivisht për të formalizuar shërbimin, për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e pagesës të ujit, por sidomos mbi sensibilizimin e banorëve për të raportuar dhe për të mos kryer lidhje të paligjshme në linjat e furnizimit me ujë të pijshëm.

UKT sh.a është e vendosur në luftën e saj kundër çdo lloj abuzimi që bëhet në rrjetin e shpërndarjes, duke krijuar për pasojë humbje si dhe pakësim të ujit në tubacionet e ujësjellësit.

dajt ukt

Borxhi për ujin e pijshëm, skemë e re shlyerjes së debisë për biznesin e vogël

Ujësjellës Kanalizime Tiranë me qëllim lehtësimin e pagesës për konsumatorin debitor, biznes i vogël/privat, lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Aktmarrëveshja e re për biznesin e vogël, vjen pas asaj për konsumatorin familjar dhe politikave të UKT-së për lehtësimin e skemës për shlyerjen e borxhit të akumuluar ndër vite dhe nxitjen e konsumatorit debitor për të shlyer çdo detyrim të prapambetur për shërbimin e marrë nga UKT.

Në bazë të kësaj aktmarrëveshjeje kanë ndryshuar këstet mujore të pagesave të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata për furnizmin me ujë të vendosura në Aktmarrëveshjen “Për pagesën e detyrimeve me këste për kategorinë e konsumatorëve, “Privat, Biznes i vogël”.

Çdo konsumator debitor, biznes i vogël/ privat me hyrjen në fuqi të kësaj aktmarrëveshje do të paguajë 7000 ( shtatëmijë) lekë në muaj plus vlerën e faturës mujore.

Ndërkohë që me aktmarrëveshjen e vjetër konsumatori biznes  i vogël/ privat  duhet të paguante 20 për qind të totalit të debisë në momentin e lidhjes së aktmarrëveshjes me UKT sh.a  dhe 10 përqind të debisë së mbetur plus faturën e përmuajshme të ujit.

Ky vendim i ri lehtëson mënyrën e shlyerjes së debisë për këtë kategori të biznesit e njëkohësisht synon të nxitë konsumatorin biznes i vogël/ privat që të lidhë sa më shpejt aktmarrëveshjen e re.

Për lidhjen e kësaj aktmarrëveshje konsumatori i kategorisë “Privat” duhet të paraqesë kopje të NIPT dhe Ekstratin e lëshuar nga QKR, që të vërtetojë se kategorizohet si Biznes i Vogël.  Këto dokumenta dhe letërnnjoftimi i konsumatorit i bashkëlidhen Akt-Marrëveshjes.

Bashkia e Tiranës dhe UKT nisin punimet për rrjetin e ri të ujësjellësit dhe asfaltimin e Rr: “Vllazën Huta”

Banorët e bllokut të pallateve në rrugën “Vllazën Huta”, pranë Ministrisë së Jashtme, shumë shpejt do të kenë jo vetëm një rrjet modern ujësjellësi, por edhe një rrugë të re. Bashkia e Tiranë dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kanë nisur punën për shtrimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në këtë lagje, si dhe kryerjen e punimeve që do të vijojnë me asfaltimin e rrugës dhe pajisjen e saj me sinjalistikën e nevojshme. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u njoh me ecurinë e deritanishme të investimit, theksoi se ky është një standard i ri punëve publike në Tiranë, në koordinim të plotë mes institucioneve.

“Ky investim vjen si risi në Bashkinë e Tiranës. Historia që kemi pasur deri më sot, ku një institucion shtronte rrugën, kurse tjetri e hapte për të vendosur tubacione, mbaron një herë e mirë sot. Do të thotë se nga tani e tutje, aty ku Bashkia e Tiranës punon për të rregulluar rrugën, fillimisht futet ujësjellësi për të riparuar kanalizimet dhe për të vendosur rrjetin e ri”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Më tej, ai theksoi se ashtu siç është bërë praktikë tashmë edhe në lagje të tjera të Tiranës, ky investim vjen në formën e një shpërblimi për banorët zonës për korrektesën dhe gatishmërinë e treguar në vazhdimësi në pagimin e taksave dhe detyrimeve të tjera ndaj bashkisë.

“Kjo është një ndër zonat që paguan në mënyrë korrekte faturat e ujit dhe dua t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve se sa më korrektë janë, aq më shumë na mundësojnë që t’ua kthejmë këtë me investime”, tha Veliaj. Gjithashtu, ai deklaroi se punimet që po kryhen në këtë zonë janë pjesë e një aksioni të madh që po zhvillohet nga UKT në zona të ndryshme të Tiranës, duke synuar zëvendësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit dhe shtimin e depove të ujit në zonat periferike të Tiranës.

“Kemi punuar shumë në Bathore, në Laknas, kurse në Sharrë jemi shumë afër përfundimit. Po ashtu, rrjeti i ujësjellësit në Yzberisht, i cili furnizon një pjesë të madhe të Tiranës, ka ecur me ritme shumë të kënaqshme”, shtoi kryebashkiaku Veliaj. Ai garantoi edhe një herë se besimin që qytetarët i dhanë kësaj administrate rreth një vit më parë, po përkthehet me punë në të mirë të qytetit. “Dua t’u kujtoj gjithë qytetarëve se po mbushet rreth një vit nga 21 qershori kur u votua për të punuar në Tiranë. Pavarësisht pengesave, stërkëmbshave, sabotimeve, i garantoj gjithë qytetarët që jam i fokusuar që vota që dhanë në datën 21 qershor të përkthehet me punë, punë, punë”, përfundoi Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i UKT-së, Redi Molla theksoi se falë këtij investimi do të përfitojnë afro 200 familje, të cilat deri tani vuanin jo vetëm nga mungesa e ujit, por edhe nga problemet me pastërtinë e ujit që vinte nga rrjeti. Në kuadër të investimeve të nisura në të gjithë qytetin e Tiranën për përmirësimin e shërbimit të ofruar, UKT sh.a ka filluar punën për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në rrugën “Vllazën Huta”, pranë Ministrisë së Jashtme. Ky investim i jep zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj rruge, por njëkohësisht eleminon humbjet e shkaktuara në rrjet nga amortizimi dhe lidhjet e paligjshme. Bashkë me këtë rrjet do të ndërtohet edhe një pusetë komandimi, e cila do të manovrojë gjithë rrjetin në këtë segment rruge.

vllazen huta foto

5000 matësa uji për Kasharin dhe Dajtin, nis fushata e UKT-së

Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka nisur nga dita e hënë fushatën për pajisjen me matësa uji për banorët e njësive administrative në Dajt dhe Kashar.

Kjo fushatë për formalizimin e  shërbimit, e cila synon t’i japë fund informalitetit, vjen pas aksionit të ndërmarrë në këto njësi për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të furnizimit me ujë.

Paralelisht me vendosjen e matësave të rinj, nga UKT do të bëhet edhe kolaudimi i matësave ekzistues, pasi në rast të defekteve ata nuk lexojnë sasinë e ujit që konsumohet.

Në këtë fazë është parashikuar që të vendosen 5000 matësa të rinj, veç kolaudimit të atyre ekzistues.

Qytetarët e këtyre njësive ftohen t’i bashkohen fushatës dhe të vendosin matësat e tyre të ujit, pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të paguajnë aq ujë sa konsumojnë.

Nga aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në këto zona, u konstatua se uji i i pijshëm shpërdorohej, duke u përdorur në aktivitete të tjera si vaditje, lavazhe etj.

Ndaj UKT fton qytetarët t’i bashkohen kësaj fushate për të vendosur matësa të rinj dhe për të lidhur kontratën e  tyre.

Me Reformën e re Territoriale, UKT tashmë ka marrë gjithë shërbimet e ish-komunave dhe po punohet intensivisht për nxjerrjen e  tyre nga informaliteti si dhe për sensibilizimin qytetar për të mos shpërdoruar ujin pa kriter.

Të gjithë banorët e njësive në Dajt dhe Kashar duhet të drejtohen në njësitë përkatëse të UKT-së për të lidhur kontratën dhe për të vendosur matësat e rinj.

mastesa

Riparohet brenda natës defekti në Selitë

Pas denoncimit të bërë publik nga banorët e rrugës “Mentor Xhemali” në Selitë, UKT sha ka çuar menjëherë në terren skuadrat e saj të punëtorëve.
Nga konstatimet në vend u verifikua se nga dëmtimi i tubacioneve, uji i pijshëm derdhej në rrugë duke shkaktuar probleme jo vetëm në furnizimin me ujë të pijshëm, por duke përmbytur edhe rrugën.
Pavarësisht kushteve jo të favorshme dhe errësirës, puntorët e UKT-së kanë bërë të mundur riparimin brenda orëve të natës të këtij defekti.
UKT sha fton qytetarët që të bashkëpunojnë për çdo rast ku ka një problem dhe në të njëjtën kohë të kontribuojnë duke mos hedhur mbeturina plastike në tubat e shkarkimit apo edhe rrugë, të cilat shpesh janë shkaku kryesor i bllokimit të pusetave në raste reshjesh.

selita

FOTO/ Aksion për zhbllokimin e kolektorëve

Skuadrat e puntorëve të UKT-së kanë nisur aksionin për pastrimin dhe zhbllokimin e kolektorëve të ujërave të zeza në disa zona të raportuara si problematike në Tiranë

Këto foto të bëra gjatë punës në Selitë, tek xhamia tregojnë se çfarë është hedhur në tubat e shkarkimit nga banorët e Tiranës.

Mbeturina  si rroba, qese plastike madje dhe shishe uji janë gjendur në kolektorë. Mbeturina të tilla, të  hedhura pa kujdes nga qytetarët janë një nga arsyet kryesore të bllokimit të kolektorëve në rastet e reshjeve të dendura të shiut, të cilat disa herë kanë shkaktuar përmbytje në rrugët e qytetit.

Le të ndihmojmë të gjithë në eleminimin dhe pakësimin e problemeve me ndotjen e papastëritë në qytetin tonë. Kushton shumë pak. Mjafton të hedhim çdo gjë në koshin e duhur!

aksioon 3

aksion 1

Aksioni i UKT-së për lidhjet e paligjshme. Përfundon Kodër-Linzë, nis Kashari!

Në njësinë administrative Dajt, sipas një azhornimi të bërë nga UKT, rezultojnë shumë lidhje të paligjshme.

Denoncimi, mbi situatën, fillimisht erdhi nga banorët e zonës të cilët janë ankuar për mungesën e ujit të pijshëm. Pas denoncimit u verifikua se bëhej fjalë për lidhje të paligjshme, nëpërmjet ndërhyrjeve abuzive  në tubin kryesor që furnizon qytetin e Tiranës dhe tek tubat që furnizojnë depot kryesore të Dajtit.

Si rezultat i këtyre evidentimeve të bëra nga stafi i UKT, Drejtoria Rajonale dhe grupi i Task Force,  është bërë një plan pune për të ndërhyrë në të gjitha pikat ku janë bërë këto lidhje të paligjshme.

Ky plan masash i ndërmarrë nga UKT, ka për qëllim përmirësimin e furnizmit me ujë të pijshëm në zonën e Dajtit, sidomos në zonën Qesarak , pasi për shkak të lidhjeve të paligjshme nuk bëhet i mundur furnizimi me ujë, duke qenë se banorët e përdorin ujin e marrë për vaditje.

Ndërhyrja e parë ka filluar në zonën e Kodër Linzës, ku aktualisht janë bërë 12 prerje të paligjshme në linjën që furnizon depon e LAZARETIT.

E njëjta punë do të vazhdojë në të gjitha njësitë administrative ku ka ndërhyrje të paligjshme në rrjet. Pas aksionit në zonën e Dajtit, UKT do të vijojë me evidentimin e problemeve në Kashar.

lidhej te paligjsdhme