Kanalizime

Rrjeti i kanalizimeve në qytetin e Tiranës ka një gjatësi prej 602 km dhe është i sistemit Mix në 90% të tij. Ky rrjet punon me vetërrjedhje deri në pikat përfundimtare të shkarkimit .

Për qytetin e Tiranës me rreth 1 000 000  banorë, dy janë pikat përfundimtare të shkarkimit, Përroi  i Lanës dhe Lumi  i  Tiranës. Në këto zona, përrrenjtë janë të mbyllur me tubacione betoni 2X1000mm, 2X1500mm ose 2X2000mm. Aktualisht shkarkimet e ujërave të ndotura në Përrenj ose Lumë bëhen drejtpërdrejt , pa bërë trajtimin e tyre. 

Rrjeti i kanalizimeve përbëhet nga tubacione me diametër nga 200mm deri në 2000mm. Materiali i tubacioneve është beton, beton armë dhe PE i brinjëzuar.

Shkarkimi i ujërave Mix në përroin e Lanës ose në Lumin e Tiranës, në pjesë të ndryshme të gjatësisë së tij bëhet nëpërmjet kolektorëve pritës të qytetit ose nëpërmjet përrenjëve, të cilët kalojnë në zona të banuara të qytetit .

Në përbërjen e tij rrjeti i kanalizimeve ka edhe pusetat e kontrollit si element bazë për kontrollin dhe mirëmbajtjen e tij.

Një pjesë e mirë e kolektorëve kryesore të qytetit janë ndërtuar sipas studimit dhe projekt-zbatimit të hartuar në vitin 1962, për një periudhë 20 vjeçare  dhe për një numër popullsie prej 200-250 mijë banorë.

Në vitet më pas, deri në vitin 1997, nuk është bërë studimi i kolektorëve kryesorë , por vetëm i zonave të ndryshme të qytetit, të pakanalizuara, me grykëderdhje pikërisht në këta kolektorë.

Aktualisht është duke u ndërtuar një Impiant për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane të cilat mblidhen në Lumin e Lanës, pasi  deri më tani shkarkimet  janë bërë drejtëpërdrejtë pa bërë trajtimin e  tyre. Vendndodhja e këtij Impianti ndodhet në Kashar, në jugperëndim të qytetit të Tiranës, nga i cili do të  përfitojnë 350 000 banorë. Ky Impiant do të bëjë të mundur Trajtimin e Ujërave me metodën e Filtrit me Pikim (Trickling Filter) sipas standarteve të kërkuara ku përfshihet dhe procesi i Trajtimit të Llumit.

Problematikat në rrjetin e kanalizimeve

  • Ndërtimi i shtesave anësore të pallateve mbi rrjetin e kanalizimit ekzistues, duke përfshirë këtë të fundit nën sipërfaqen e ndërtimit apo brenda rrethimeve të sipërfaqeve të kateve të para të pallateve.
  • Ndërhyrjet arbitrare në rrjet të subjekteve private, individë të veçantë ose ndërhyrjet pa profesionalizëm (lidhjet në kokë të tubit pa puset kontrolli).
  • Vjedhja e kapakëve të pusetave, e cila favorizon mundësinë e mbushjes së pusetave me mbeturina dhe më pas bllokimin total të tubacionit.
  • Mbushja e kolektorëve me materiale inerte nga firmat që punojnë në sistemimin e rrugëve dhe mbulimi i kapakëve prej tyre me asfalt.
  • Rritja e kapacitetit të ujërave si rezultat i rritjes së ndërtimeve, rritjes së numrit të popullsisë ka sjellë zvogëlimin e kapacitetit përcjellës të prurjeve në kolektorët kryesorë të qytetit.