Ujësjellës Kanalizime Tiranë

Historiku

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë deri në vitin 1939 është furnizuar me ujë nga puset vetjake. Në vitin 1939, me përfundimin e qendrës së Tiranës (ndërtimin e ministrive dhe shëtitores “Dëshmorët e Kombit”), u vu në punë Impianti i Pastrimit të Ujit në Brar, i cili merrte ujë në lumin e Tiranës pranë kataraktit me prurje Q=40 l/sek së bashku me rrjetin që furnizon objektet e ndërtuara.

Për administrimin e Impiantit dhe rrjetit shpërndarës, u krijua Shoqëria e Ujësjellësit Tiranë me varësi nga Ministria e Punëve Botore. Ky administrim ka vazhduar edhe pas çlirimit të vendit, të cilën e vërtetojnë lejet nga Shoqëria për ndërtimin e çezmave publike në qytetin e Tiranës.

Në vitin 1951 qytetit të Tiranës, përveç Impiantit Brar iu shtuan edhe Burimet e Selitës, të cilat pasi përpunohen në Hidrocentralin Lana-Bregas, shpërndahen në depot e Tiranës.

Me rritjen e numrit të konsumatorëve shtohen kërkesat për ujë. Në vitin 1964, Tiranës i janë shtuar burime të tjera: Burimi i Bovillës me prurje Q=140-420 l/sek dhe Burimet e Shën Mërisë me prurje Q=600 l/sek.

Në vitin 1988 Tiranës i shtohen burime të reja me ngritje mekanike Bërxull dhe Pishinat. Me rritjen e kërkesave, po në vitin 1988, me fonde të përbashkëta nga Ministria e Bujqësisë dhe Komunale, u krye studimi për ndërtimin e Digës së Bovillës me kapacitet 80 milion m3/ujë dhe aftësi përpunuese 40 milionë m3/ujë.

Diga e Bovillës përfundoi në vitin 1999, e në funksion të saj u ndërtua Impianti i Pastrimit të Ujit, me kapacitet përpunues prej 1800 l/sek. Impianti i Pastrimit të Ujit është vënë në punë në vitin 2000. Në vitin 2003 u bë bashkimi i Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Qytet, e cila në atë kohë varej nga Ministria e Ekonomisë me Ndërmarrjen e Ujësjellësit Fshat, e cila varej nga Qarku i Tiranës si dhe u shkri ish-Ndërmarrja 4 që i shërbente me kanalizime vetëm 40 për qind të komunave të Tiranës.

Në janar të 2007 Shoqëria Strategjike Ujësjellës Kanalizime Tiranë, u transferua në pronësi të njësive vendore të zonës së shërbimit që përbëhet nga 3 bashki dhe 16 komuna. Licensa e fundit e shoqërisë është rinovuar nga Komisioni Kombëtar Rregullator i Ujit në Mars të 2010, pas një proçesi monitorimi dhe vlerësimi të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë licencë nga Enti Rregullator i Ujit. Ujësjellës Kanalizime Tiranë është një shoqëri aksionare e cila si mision të saj ka sigurimin e furnizimit me ujë të konsumatorëve. Ujësjellësi i Tiranës ka 3 lloje burimesh, ato me vetë-rrjedhje, të cilat kanë kryesisht origjinë malore, burime të ujërave sipërfaqësore, të cilat akumulohen në ujë-mbledhësin e Bovillës, si dhe burime të ujërave nëntokësore me ngritje mekanike.

Burimet më të rëndësishme të furnizimit të qytetit renditur për nga madhësia e zonës që mbulojnë me shërbim janë:

  • Impianti i trajtimit të ujit të pijshëm – Bovilla
  • Burimet me vetë-rrjedhje të Selitës
  • Burimet me vetë-rrjedhje të Shën Mërisë
  • Burimet me ngritje mekanike të Bërxull dhe Laknas

Në Tiranë përgjithësisht dominon furnizimi përmes rrjetit të hapur të shpërndarjes, ndërsa rrjeti unazor është në funksion vetëm në zona të vogla të qytetit.  Rrjeti shpërndarës i qytetit ka filluar të ndërtohet që në vitin 1940.

Adresa

Rruga "Konferenca e Pezës"

Telefon

Ujësjellës Kanalizime Tiranë © 2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Na ndiqni:

Ujësjellës Kanalizime Tiranë © 2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Na ndiqni: