Akt-marrëveshja e re për konsumatorin debitor familjar!
Të gjithë konsumatorët familjarë që janë debitorë ndaj ndërmajrres së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e prapambetura duke paguar një tarifë fikse mbi faturën mujore të ujit të pijshëm. Për ti ardhur në ndihmë familjeve debitore dhe për të lehtësuar barrën e pagesave të pakryera për faturën e ujit të pijshëm, UKT lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re me konsumatorin.
Në bazë të kësaj akt-marrëveshje tani çdo konsumator familjar, i cili për arsye të ndryshme apo pamundësi financiare ka akumuluar detyrime të pashlyera për periudha kohore të gjata, do të paguaj çdo muaj 2 mijë lekë të reja plus vlerën e faturës së përmuajshme. Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re të gjithë konsumatorëve familjarë debitor u ofrohet një skemë e cila synon të jetë e përballueshme për cilindo që ka borxhe të papaguara ndaj UKT-së.
Kjo pasi skema që ishte deri më tani në fuqi dhe që trajtonte debinë e konsumatorëve familjarë, prodhonte një faturë me një vlerë që në raste të veçanta ishte e papërballueshme.  Me akt-marrëveshjen e vjetër, konsumatori duhet ta kryente pagesën me këste mujore, ku kësti i parë përbënte 20% të vlerës së detyrimit, plus faturën koherente mujore. Ndërsa këstet e tjera vijonin të përshkallëzuara, me 10% të vlerës së detyrimit të mbetur, duke i shtuar faturën e muajit.
Pra thënë me shembuj konkret, për një konsumator familjar që kishte një debi prej 100 mijë lekësh, sipas skemës së vjetër do duhej të paguante fillimisht 20 mijë lekë plus faturën mujore të ujit, çka për një pjesë të mirë të konsumatorëve përbënte një shumë të papërballueshme.  Ndaj akt-marrëveshja e re e ofruar nga Ujësjellësi i Tiranës, synon të lehtësojë mënyrën e pagesës për konsumatorët familjarë debitor me UKT dhe të nxitë të gjithë konsumatorët që të shlyejnë të gjitha detyrimet e parapambetura ndaj UKT sh.a.

Akt-marrëveshja e re për konsumatorin debitor privat/biznes i vogël!
Ujësjellës Kanalizime Tiranë me qëllim lehtësimin e pagesës për konsumatorin debitor, biznes i vogël/privat, lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Aktmarrëveshja e re për biznesin e vogël, vjen pas asaj për konsumatorin familjar dhe politikave të UKT-së për lehtësimin e skemës për shlyerjen e borxhit të akumuluar ndër vite dhe nxitjen e konsumatorit debitor për të shlyer çdo detyrim të prapambetur për shërbimin e marrë nga UKT.
Në bazë të kësaj aktmarrëveshjeje kanë ndryshuar këstet mujore të pagesave të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata për furnizmin me ujë të vendosura në Aktmarrëveshjen “Për pagesën e detyrimeve me këste për kategorinë e konsumatorëve, “Privat, Biznes i vogël”.
Çdo konsumator debitor, biznes i vogël/ privat me hyrjen në fuqi të kësaj aktmarrëveshje do të paguajë 7000 ( shtatëmijë) lekë në muaj plus vlerën e faturës mujore.
Ndërkohë që me aktmarrëveshjen e vjetër konsumatori biznes i vogël/ privat duhet të paguante 20 për qind të totalit të debisë në momentin e lidhjes së aktmarrëveshjes me UKT sh.a dhe 10 përqind të debisë së mbetur plus faturën e përmuajshme të ujit.
Ky vendim i ri lehtëson mënyrën e shlyerjes së debisë për këtë kategori të biznesit e njëkohësisht synon të nxitë konsumatorin biznes i vogël/ privat që të lidhë sa më shpejt aktmarrëveshjen e re.
Për lidhjen e kësaj aktmarrëveshje konsumatori i kategorisë “Privat” duhet të paraqesë kopje të NIPT dhe Ekstratin e lëshuar nga QKR, që të vërtetojë se kategorizohet si Biznes i Vogël. Këto dokumenta dhe letërnnjoftimi i konsumatorit i bashkëlidhen Akt-Marrëveshjes.